Ministrja për Rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi, pas përgjigjes së ftohtë që i dha gazetarëve në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier, ka reaguar sërish ku ka kërkuar ndjesë për mënyrën se si është shprehur.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Muzhaqi ka arritur të shprehet meqënëse para gazetarëve nuk kishte kohë të mjaftueshme. Ajo ka thënë se se nuk iu duk e udhës të jepte përgjigje mbi atë ngjarje dhe se është e neveritur nga loja publike qe krijohet pas tragjedive.
Postimi i Bora Muzhaqit:
“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune. Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja. Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time,”- shkruan Muzhaqi.
/Priza.al/