Një ditë pas betimit në Kuvend dhe fillimit të punimeve të legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë u publikua edhe dekreti i Presidentit të Republikës Ilir Meta mbi konstituimin e qeverisë së re.
Në dekretin e Presidentit që mban datën e djeshme thuhet se zoti Edi Rama emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe dekretin hyn në fuqi menjëherë dhe se ky vendim merret në bazë të rezultatit të KQZ-së rezulton se PS ka shumicën parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Më 10 shtator deputetët e dalë nga zgjedhjet bënë edhe betimin dhe marrjen formale të detyrës së ligjvënësit në Kuvend, pas verifikimeve dhe publikimit të raportit nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve.
Njëkohësisht, u votua Lindita Nikolla në postin e kreut të Kuvendit dhe u caktuan mes partive më të mëdha edhe krerët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.
Dekreti i Metës vjen pas muajsh përplasjes, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, mes Presidentit dhe shumicës socialiste, e cila votoi me shumicë në qershor për shkarkimin e tij. Ky vendim pret të konfirmohet ose të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Dekreti i presidentit Meta:
PËR EMËRIMIN E KRYEMINISTRIT
Në mbështetje të neneve 93 dhe 96, pika 1, të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, sot më datë 10.09.2021, në fillim të Legjislaturës së X-të, pas thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së parë të Kuvendit të porsazgjedhur, sipas propozimit me nr. 216 prot., datë 2.9.2021, të Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti kjo që rezulton se ka shumicën e vendeve në Kuvend
D e k r e t o j:
Neni 1
Zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 13 210
Tiranë, më 10.09.2021
/Priza.al/