Nuk i ramë ‘më qafë’ kot…/ Ja arsyet përse i hoqën licencën e Unazës, Ferdinand Ibrahimit, që ka lëshuar ‘zagarët’ drejt ‘Priza.al’  

Kohët e fundit kemi sjellë në vëmendje të lexuesve dhe të opinionit publik atë çfarë ndodh prej vitesh me linjat e urbanëve apo me transportin publik në kryeqytet.

“Priza.al” këto kohë bëri një pasqyrë me fakte dhe prova, të disa prej linjave më problematike të transportit urban në Tiranë, duke treguar se sa probleme ka ky shërbim që u ofrohet çdo ditë qytetarëve madje me çmim aspak të lirë.

Për ironi të fatit, pronarët e disa prej linjave më kryesore që kanë edhe fluksin më ta madh të udhëtarëve në një ditë, e për pasojë edhe fitimin më të lartë, kanë kompanitë dhe shërbimin më skandaloz.

“Priza.al” në disa shkrime investigative ka prekur problematikën kryesisht të dy linjave, asaj të Unazës dhe “Tiranës së re”, e para e drejtuar nga Ferdinand Ibrahimi i “Ferlut” dhe e dyta e drejtuar nga Fatos Vrapi, i “Alba-Trans” njëkohësisht kreu i “Shoqatës së Transportit Urban”.

Shoferi i Unazës u rrah në mes të Tiranës, por policinë e njoftoi 'Priza.al'/ Blutë flenë, po çfarë duhet të ndodhë akoma që t'i hiqet licenca një kompanie - Priza.al

Janë pikërisht këta dy shtetas dhe biznesmenë, strumbullari i gjithë anomalive në linjat e transportit urban në kryeqytet, si dhe i shtrenjtimit vit pas viti të çmimit të biletave dhe aboneve.

Këta dy individë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ngritur atë që me plot gojë mund ta quajmë “Karteli i transportit urban”, në kryeqytet dhe që deri tani me anë të pagesave dhe ryshfeteve kishin mbyllur gojën edhe të institucioneve shtetërore që duhet t’i kontrollonin. Por nuk kanë mundësi që të mbyllin gojën e medias së lirë!

Së fundi, të gjendur përballë një morie faktesh që “Priza.al” ka publikuar dhe po vazhdon të publikojë, këta dy individë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sulur ndaj redaksisë tonë një “zogori qenërish” të kryesuar nga një tjetër pronar linje urbane, Resmi Nika, pikërisht për të tentuar trembjen dhe mbylljen e gojës së medias që po u nxjerr të palarat në shesh.

Ferdiand Ibrahimi, debitor i qindra miliona lekëve në Tatime e bashki

Sot “Priza.al”, ka shtënë në dorë një mori dokumentesh ku tregohet qartë me firmë e vulë, se si pronari i një prej linjave kryesore të transportit urban në Tiranë, dhe biznesmen i njohur, Ferdinand Ibrahimi, është debitor i një shume të konsiderueshme në shtet.

Në gjithë këto vite të aktivitetit të tij, që nis të paktën dy dekada më parë, Ibrahimi me kompanitë e tij, ku më të njohurat ishin “Ferlut” (shitje me shumicë e pakicë e pjesëve të këmbimit për makina) dhe “Ferlat” (kombinat i përpunimit të qumështit), duket se e ka pasur “grurë” me qeveritë e ndryshme.

Bosi' i urbanëve dhunon gruan, gjykata e pajis me urdhër mbrojtjeje, FERLUT-i mashtroi 1 mld lekë me biletat – Dosja AL

(Foto: Ferdinand Ibrahimi, pronar i linjës së Unazës në Tiranë dhe i subjektit ‘Ferlut’)

Nga dokumentet që disponojmë dhe që kemi siguruar nga Drejtoria qendrore e Tatimeve, del se Ibrahimi është një debitor i jashtëzakonshëm me shtetin dhe në gjithë këto vite, edhe pse ka siguruar miliona e miliona lekë fitime, sërish kompanitë e tij figuronin me humbje dhe derdhjet në shtet kanë qenë minimale dhe të prapambetura.

Por me këto le të merret SPAK-u dhe Prokuroria e Përgjithshme nëse do të duhet…

Duke qenë herë pas here mbështetës dhe financues i fushatave të caktuara zgjedhore dhe i forcave të ndryshme politike (sipas interesit), Ferdinand Ibrahimi, ka arritur që të punojë pa hasur probleme me institucionet shtetërore dhe për pasojë duke siguruar fitime të majme pa paguar shumë taksa dhe tatime.

Këtë më së miri e vërtetojnë edhe skandalet e herë pas hershme të plasura në media të ndryshme, por edhe rastet kur për evazion Ibrahimi është gjobitur ose arrestuar nga drejtësia.

Këtë e tregojnë edhe këto dokumente të fundit (fotot më poshtë) të cilat tregojnë se si biznesmeni Ibrahimi është debitor në këtë rast i një tarife prej 162.4 milionë lekësh (16.244.796.1 lekë) në Bashkinë e Tiranës për tatime dhe gjoba të prapambetura që i takojnë vitit 2021, që nuk janë paguar ende.

(Foto: Faksimil origjinal i dokumentit të detyrimeve të papaguara të subjektit ‘Ferlut’, në Zyrën e Taksave Vendore, Bashkia e Tirans)

Por kjo është vetëm një shkresë që tregon se sa të mëdha janë shumat që Ibrahimi me të gjitha bizneset e tij, i ka shtetit shqiptar dhe pushtetit vendor, në një kohë që vit pas viti ai siguron fitime kolosale nga paratë e qytetarëve, rrit çmimin e biletave të urbanëve pa përmirësuar cilësinë e shërbimit, nuk paguan pagat e punonjësve, si dhe u bën evazion me taksa e tatime.

(Foto: Faksimil origjinal i dokumentit të Urdhër-Bllokimit të aktivitetit të subjektit ‘Ferlut’ nga Zyra Tatim- Taksave Vendore, Bashkia e Tirans)

Ibrahimi dhe Vrapi, dy abuzues me ligjin që ushtrojnë ende biznes

Ishte gushti i vitit 2019 kur strukturat e Anti-informalitetit dhe Krimit Ekonomik goditën një tjetër rast të evazionit fiskal, që në qendër kishin si protagonistë kryesor pikërisht Ferdinand Ibrahimit dhe Fatos Vrapin.

Këta të dy prej vitesh kishin përdorur si skema me linjat e tyre falsifikimin e biletave të transportit publik në Tiranë, në bashkëpunim edhe me punonjës të tyret dhe ortakë, si dhe bënin edhe falsifikimin e aboneve.

Në atë kohë mes të arrestuarve ishin Ferdinand Ibrahimi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës, dhe djali i tij Anastas Ibrahimi, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar.

Mashtrimi me biletat e urbanit, bosi i Ferlutit dhe Vrapi kërkojnë lirinë, ofrojnë 70 milionë lekë – Dosja AL

Të arrestuarit e tjerë ishin Fatos Vrapi , 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “AlbaTrans” dhe bashkëshortja e tij, Albana Vrapi, 51 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronar të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës); Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë (ka në pronësi linjën e Porcelanit), me detyrë administratore; Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh; Aldi Duka, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusësh; Klodiana Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh.

Arrestimi i tyre në atë kohë u bë në bazë të dyshimeve se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, këta persona kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar, të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

Ata përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Pafrike.al - "Ferdinandi me shokë"/ Mashtrimi me biletat, 1 mld lekë dëmi

Nëpërmjet këtyre veprimeve i shkaktuan shtetit në atë kohë një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritej në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjatë arrestimit u sekuestruan edhe 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave do të kapte vlerën 6.000.000 lekë të reja.

Gjithashtu u sekuestruan: një automjet “Maserati”, 4 aparate celulare në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi, si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.

Po ashtu policia njofton se po hetohet në lidhje me identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Të arrestuarit u akuzuan për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Arrestohet Ferdinand Ibrahimi (Ferluti) pronari i linjës së Unazës, falsifikonte biletat e transportit - Veritas

Do të mjaftonte vetëm kjo që në një shtet normal dhe ligjor, Ibrahimi dhe Vrapi të mos “puthnin” më në biznesin e transportit urban, por ndërkohë kompanitë e tyre me gjithë abuzimet, vjedhje, evazionin fiskal, gjobat dhe detyrimet e prapambetura të papaguara, vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre lirshëm, duke siguruar fitime të majme.

Nuk e dimë se ku janë apo çfarë po bëjnë aktualisht institucionet e Bashkisë së Tiranës, Tatim-Taksave, Krimit Ekonomik, Autoritetit të Konkurrencës, AMF-së, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ, Prokurorisë dhe SPAK-ut, në lidhje me këta persona dhe gjithë skemën “Kartel” që këta kanë ngritur dhe mbajnë në këmbë.

Ne “Priza.al” si media, po bëjmë detyrën tonë ndërkohë duke denoncuar dhe publikuar fakte, edhe pse nëpër këmbë kemi “zagarët” që na kanë lëshuar Ibrahimi, Vrapi dhe Nika!

Deri tani nuk kemi gjetur përkrahjen dhe ndihmën e asnjë institucioni shtetëror. Ndaj na mbetet vetëm ti kërkojmë ndihmë Ambasadës së SHBA-ve dhe ambasadores Yuri Kim, si një garante e ligjit dhe e së drejtës në vendin tonë. Znj. Ambasadore, të lutemi, na i hiq këta njerëz nga rruga jonë!

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *