Një 19-vjeçar është arrestuar së fundmi nga policia , dhe një 18- vjeçar u shpall në kërkim pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte emigrantë të paligjshëm.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë në drejtim të mjetit ka qenë shtetasi A. E ., 18 vjeç pasi ky i fundit nuk i ka ndaluar shenjës për të ndaluar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi A3” u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi A. E. iu kishte premtuar transportimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 200 euro për person.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Pogradec/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri 195”.
Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 18-vjeçari.
Vihet në pranga bashkëpunëtori i dyshuar i tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 19 vjeç, banues në fshatin Shalës, Cërrik, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. E ., 18 vjeç, banues në Cërrik, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, pranë fshatit Piskupat, Pogradec, automjetin tip “Audi A3”, me drejtues shtetasin A. E., të cilit i kanë bërë shenjë që të ndalonte, pasi kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.
Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi dhe në kryqëzimin e fshatit Lin është përplasur me trafikndarësen. Më pas, për të shmangur kapjen nga Policia, ka braktisur automjetin dhe është larguar. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi A3” u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi A. E. iu kishte premtuar transportimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 200 euro për person.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në lidhje me këtë rast, rezulton se bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale është edhe shtetasi K. M.
Nga ana e Policisë po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 18-vjeçarit A. E. dhe personave të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.