Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin Pëllumb Zaimi të Gjykatës së Beratit. Ai u përball të premten më 14 tetor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan balanca negative për kursimet në dy vite, të cilat ai i cilësoi si modeste dhe të pamjaftueshme për të sjellë penalizim. E ashtu ndodhi, pasi u konfirmua në detyrë.
Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 86 m2 në vlerën 48 mijë e 700 euro, gjyqtari Zaimi ka deklaruar si burim të ardhurat e familjes nga puna të kursyera në vite dhe nga shitja e një apartamenti në Çorovodë. Por në seancë u evidentua se Zaimi nuk e ka deklaruar në 2007-ën porositjen e apartamentit, gjetje për të cilën ai deklaroi se kishte qenë një harresë.
DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për Zaimin, ndërsa në vijim ka ngritur dyshime për veprime korruptive dhe ka konstatuar papërshtatshmëri të subjektit për të vazhduar detyrën. Por edhe lidhur me këtë rast, nuk u relatuan probleme.
Bekteshi evidentoi një çështje të shqyrtuar prej Zaimit, ku rezultonte që të kishte qenë pjesë e procesit edhe ASHK-ja Berat, kur ky institucion drejtohej prej vajzës së tij. Subjekti vërejti se nuk e kishte thirrur ndonjëherë ASHK-në si palë në proces dhe se ky institucion kishte qenë në cilësinë e personit të tretë.
“Palët në proces e dinin se vajza ime ishte drejtoreshë në atë institucion dhe nuk kanë ngritur pretendime për konflikt interesi. E ka ngritur vetëm denoncuesi A.D. pasi iu rrëzua padia,”-shpjegoi Zaimi dhe vërejti se denoncimet ndaj tij ishin kryer nga personat që kishin humbur gjyqet, pas përfundimit të proceseve.
Relatorja Bekteshi sqaroi në fillim të seancës së gjyqtari Pëllumb Zaimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 në Skrapar dhe pas mbylljes së asaj gjykate vitin 2007, u emërua në 2008-ën në Gjykatën e Beratit, ku dhe e ushtron aktualisht detyrën.