Edhe pse ka 7 muaj që i ka përfunduar afati i dënimit, shqiptari Afrim Rexha mbahet në burgun e Patras, për shkak se Gjykata refuzon që ti aprovojë lirimin.
45-vjeçari shqiptar, i mbyllur për disa vite në burgjet greke, i dënuar për trafik droge, tashmë duhej të kishte dalë nga qelia, por po mbahet aty edhe pse ka përfunduar dënimin.
Sipas gazetarit shqiptar në Greqi, Shpetim Zinxhirija, Rexha ka përfunduar dënimin në janar të këtij viti dhe duhej të kishte dalë tashmë, megjithatë gjendet ende në qeli dhe askush nuk ka një informacion se përse ka ndodhur diçka e tillë.
Gjatë një interviste të dhënë një muaj më parë Afrim Rexha u shpreh se, “Kam 6 muaj që e kam mbaruar afatin e burgut dhe ende nuk më kanë nxjerrë, dënimi më ka mbaruar që në 21 Janar. Nuk jam i vetmi që e kam këtë problem, telefonojmë në ambasadë dhe nuk na përgjigjet njeri.
I mbajnë 4-5 muaj, e deri në 2 vite që i mbajnë në burg edhe pse u ka përfunduar dënimi. Janë tre godina, ka dhe njerëz të tjerë me të njëjtin problem. Kam 4 vite e një muaj burg, kam folur me familjen, dhe nuk ka çfarë bën familja, kam marrë një avokat, dhe ai duket si mashtrues, se asnjë punë, asnjë gjë nuk ka bërë.
Kemi marrë dhe gazetar grekë në telefon dhe nuk na janë përgjigjur, kam qenë i dënuar për trafik droge. Ka shumë njerëz që janë në burgje, edhe pse kanë përfunduar afatet e burgut.
Një herë që na e hapi ambasada, tha se nuk merreshin me këtë çështje. Këto kanë nxjerrë një ligj që çdo dy muaj duhet të firmosësh, dhe pasi firmosa jam në dorë të gjykatës së shkallës së parë, nëse i teket prokurorit të nxjerr, nëse nuk i teket nuk të nxjerr”, tha Rexha.
Ndërkaq, gazetari shtron pyetjen nëse ky është një rast i veçuar apo mbajtja e shqiptarëve në burg edhe pas përfundimit të dënimit është një fenomen në Greqi?
Mësohet se më herët, gjatë një kontrolli në qelinë e Rexhës gardianët kanë gjetur një thikë, e cila sipas tij përdorej për hapjen e konservave. Madje, sipas avokatit të tij ai është shpallur edhe i pafajshëm në lidhje me këtë akuzë, megjithatë kjo është ajo për të cilën dyshohet se po mbahet ende në burg edhe pse nuk ka një hetim apo vendim gjykate ndaj tij.
/Priza.al/