Kryeministri Edi Rama, ka reaguar një ditë më vonë në lidhje me kritikat e rënda për të drejtat e njeriut në Shqipëri, raporti ky i Departamentit Amerikan të Shtetit. Në statusin e tij në Twitter, qëndrimi i Ramës është pothuajse mospërfillës, pasi nuk ka dhënë asnjë përgjigje për kritikat, duke e konsideruar këtë raport si të pavlerë dhe përsëritje të çdo viti.
“Paska plasur peshku për një raport vjetor të DASH se Amerika na paska thënë më në fund ato që opozitërat paskan thënë që në fillim! Kush e lexon çdo vit këtë raport e di që është aq shumë copy-paste i vitit më parë sa nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit, shkruan Rama në Tëitter.
Kujtojmë se Departamenti amerikan i Shtetit, ka bërë kritika të forta lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri se gjatë vitit 2021 për “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdonte procesi i vetingut, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit, dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet lokale”.
“Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.