Nuk justifikonte dot pasurinë/ KPK shkarkon nga detyra prokurorin Dritan Gina, garda nuk e lejon të futet në seancë

Është shkarkuar nga detyra prokurori Dritan Gina. Vendimi është marrë sot nga KPK.

Gina refuzoi të kontrollohej nga forcat e sigurisë dhe ka tentuar të futet me forcë në seancë. Garda se ka lejuar ish-prokurorin të futet, pasi nuk kishte me vete kartë identiteti.

Edhe pse ai nuk është lejuar në seancë, vendimi i shkarkimit është dhënë në mungesë së tij.

Mungesë burimesh e pasaktësi, akuzat ndaj ish-prokurorit Dritan Gina:

Dritan Gina akuzohet blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 105 m2 në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kavajës” në Durrës kundrejt çmimit 30 mijë euro në vitin 2011, Gina ka pasqyruar në deklaratën vetting si burim krijimi një kredi në shumën 45 mijë euro dhe 35 mijë euro trajtim preferencial.

Relatorja Pine konstatoi se sipas dokumentacionit të administruar për këtë pasuri ka rezultuar se gjatë vitit 2011 janë shlyer të dy këstet 30 mijë dhe 50 mijë euro të përcaktuara në kontratën e shitblerjes me rezervë.

Sipas Pines, O.V., një prej ortakëve të shoqërisë ka deklaruar se i ka zbritur subjektit shumën 35 mijë euro nga çmimi total, për shkak të marrëdhënieve të afërta miqësore. Ajo shtoi se referuar kontratës, rezulton se çmimi është paguar para se të disbursohej kredia.

Komisioni konstaton mospërputhje mes deklarimeve të subjektit dhe dokumentacionit të këtij transaksioni dhe vlerëson se kredia nuk mund të ketë shërbyer për shlyerjen e çmimit të apartamentit.

Në përfundim, KPK i ka kaluar barrën e provës Ginës për deklarim të pasaktë të vlerës dhe kohës së kryerjes së pagesave; mungesë financiare në shumën 1.9 milionë lekë për pagesën e këstit të parë dhe kryerjen e shpenzimeve për atë periudhë, si dhe mungesë për shlyerjen e vlerës së plotë të çmimit të apartamentit në shumën 8.8 milionë lekë.

Avokati Bushi kërkoi që prokurori Gina të vlerësohej për pasurinë si subjekt veçmas nga bashkëshortja e tij. Ai tha se Komisioni ka marrë të dhëna nga rezultatet e hetimit administrativ për bashkëshorten e subjektit të rivlerësimit. “Kërkojmë të bazoheni në provat e tij, duke mos u ndikuar nga procesi tjetër”, tha Bushi.

Ai dhe prokurori Gina sollën në vëmendje të Komisionit se Prokuroria e Fierit kishte hetuar pasuritë e tij dhe të bashkëshortes Gashi dhe kishte vendosur mosfillimin e hetimit, pasi nuk ishin konkluduar probleme.

“Në rastin konkret jemi para një gjëje të gjykuar. Deklarimi i kësaj pasurie është i saktë dhe burimet financiare rezultuar të ligjshme dhe të mjaftueshme”, pohoi Bushi.

Prokurori Gina theksoi se ishte nga të vetmit që kishte deklaruar trajtimin preferencial në kohën e duhur dhe se shoqëria ndërtuese e kishte konfirmuar zbritjen e vlerës 35 mijë euro nga çmimi total. Sipas Ginës, në një rast Komisioni e ka pranuar kontratën e nënshkruar pa praninë e noterit.

“Është krijuar tymnajë nga këshilltarë dashakeqas që kanë ndryshuar deklarimet e mia dhe interpretimin”, pohoi Gina dhe theksoi se kredia ishte marrë për shlyerjen e apartamentit që ishte vendosur si garanci pasurore. “Nuk ka asnjë provë par pagesën 35 mijë euro”, pretendoi ai.

Ginës i është kaluar barrë prove edhe për një apartament me sipërfaqe 121 m2 në Tiranë, pasuri për të cilën ai ka deklaruar se i është dhuruar prej vjehrrit.

Pine sqaroi se nga hetimi ka rezultuar pasaktësi në deklarimin e kësaj pasurie. Sipas Komisionit, subjekti ka deklaruar se apartamenti është porositur nga babai i bashkëshortes në vitin 2004 kundrejt vlerës 38 mijë e 800 euro, por nga hetimi administrativ ka rezultuar se kontrata e shit-blerjes është nënshkruar mes shoqërisë ndërtuese dhe bashkëshortëve Gashi e Gina, ku sqarohet se kanë shlyer edhe çmimin e plotë të kësaj pasurie.

Nga analiza financiare për këtë pasuri, KPK ka konkluduar balancë negative në shumën 3.1 milionë lekë.

Avokati Bushi dhe Gina i kundërshtuan konstatimet e KPK për këtë pasuri. Ata këmbëngulën se në një prej neneve të kontratës së shit-blerjes referohej deklarata noteriale ku vjehrri deklaronte se shtëpinë ia dhuronte të bijës, ish-prokurores Gashi dhe subjektit të rivlërësimit. “Vjehrri ka deklaruar kalimin e të drejtës reale të pronës në emër të vajzës dhe emrin tim. Me ç’të drejtë është konkluduar se e kam paguar unë? Si ma faturoni mua?”, tha Gina dhe shpjegoi se kontratat e energjisë nuk figuronin në emër të tij prej vitit 2004 ashtu si ishte konstatuar, por në emër të shoqërisë ndërtuese.

Mungesë financiare është konkluduar edhe për krijimin blerjen e një automjeti tip Peugeot për çmimin 15 mijë e 100 euro; të një depozite në shumën 10 mijë euro në vitin 2016 nga bashkëshortja Gashi dhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 5000 euro.

Lidhur me mungesën financiare për autoveturën, subjekti pretendoi se kjo vinte për shkak të konsiderimit të vlerës 15 mijë euro si shpenzim. “Makina është blerë ne emër të subjektit Rovena Gashi dhe nga hetimi i Komisionit për atë subjekt nuk janë gjetur probleme. Ç’punë kam unë tani që më dalin probleme”, pohoi Gina.

Pine sqaroi se nga analiza financiare e përgjithshme janë konkluduar balanca negative në vitet 2010, 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 në vlerë totale rreth 10 milionë lekë.

Gina e cilësoi qesharake analizën financiare të KPK. “Vihet re se janë bërë nga persona qesharakë, që kanë dalë në rezultate qesharake. Kanë dalë analiza me balanca krejt të ndryshme. Nuk mund të dalin të dhëna të ndryshme për persona e fakte të njëjtë”,- theksoi Gina.

/Burimi: BW/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *