Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se çështja ÇEZ-DIA është një aferë korruptive.
E ftuar në emisionin ‘Log’, Lala tha se për këtë çështje nuk është pasur asnjë interes nga drejtësia për të zbardhur dosjen. Mes të tjerash gazetarja tha se historia u rihap në 2019 mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga një jurist.
“Nuk kishim njoftim. Nga burimet e morëm vesh. Disa nga gazetarët ishin në vështirësi se po aludonin me çështjen për të cilat ishte thirrur Meta. Zoti Meta ishte thirrur për ÇEZ-DIA. ÇEZ-DIA është aferë. Kur u dha vendimi në 2017 për Ismailajn nuk ishim në këto kushte. Aty bëhet fjalë për përfshirje të të tria forcave politike. Kjo çështje nuk ka pasur interes për t’u zbardhur. Prokuroria provoi vetëm disa dokumente fiktive, për të cilat u dënua zoti Ismailaj. Ish-ministri i ndjerë, Dritan Prifti pati një deklaratë dhe ai pretendoi për një akuzë të rëndë ndaj zotit Meta. Ai tha se Meta kishte sugjeruar dhe dërguar si person të besuar Ismailajt te çekët e ÇEZ. Në të njëjtën kohë kur u bënë akuzat, çështja e ÇEZ ishte në arbitrazh.
U kërkua një shumë e madhe parash, 130 mln euro. ÇEZ kërkonte të tjera para. Historia u rihap në 2019 mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga një jurist. SPAK po heton rolin e zotit Meta. A është Meta i lidhur me Ismailiajn? A ishte ai që i sugjeroi çekëve të ÇEZ Ismailajn?! Nëse mbetet te historia e lobimit s’ka gjë të keqe, por po nëse janë pranuar para? Këtë po heton SPAK. Ka një dëshmi të Elvis Matës, që u pyet dy herë në Vjenë. Ai thotë se ka pasur udhëtime të Kastriot Ismailajt dhe Metës në drejtim të Pragës. SPAK po heton nëse kanë udhëtuar këta personazhe së bashku?! Ka një dëshmi të drejtorit çek të ÇEZ”, tha Lala.