Teksa po përballet me tmperaturat e larta, Kanadaja është përfshirë nga zjarre të shumtë, të shkaktuar nga shkreptimat e rrufesë. Qeveria federale e Kanadasë tha se do të dërgojë avionë të ushtrisë për të ndihmuar punëtorët e emergjencave, për të shuar zjarret në British Kolombia.
Më herët gjatë kësaj jave, banorët e fshatit Lytton u detyruan që të largoheshin nga shtëpia. Në këtë vend, u regjistrua temperatura më e lartë e regjistruar në Kanada, përkatësisht 49.6 gradë Celsius. Ky fshat, të martën u shkatërrua nga zjarret.
Zjarret në këtë fshat – që gjendet 260 kilometra në verilindje të Vankuverit – detyruan shumë prej 250 banorët që të largohen pa marrë gjësendet e tyre.
“Brenda 15 minutash, i gjithë fshati u përfshi nga flaktë”, tha kryetari i këtij vendi, Jan Polderman.
Ditëve të fundit, në Amerikën Veriore janë regjistruar temperatura jashtëzakonisht të larta. Të premten, shërbimi për zjarre në British Kolombia raportoi se një ditë më parë janë regjistruar rreth 12.000 shkreptima të rrufeve.
Qindra persona janë paralajmëruar se do të duhet të largohen nga shtëpitë e tyre.