Për të paktën edhe 10 ditë në territorin e vendit tonë nuk do të ketë reshje. Ky lajm është konfirmuar nga sinoptikania Lajda Porja, e cila tha gjatë një lidhje Live në “News24” se, nuk parashikohet që territori i Shqipërisë të përfshihet nga reshje shiu.
Ajo po ashtu ka dhënë një lajm pozitiv, pasi intensiteti i erës që ka favorizuar edhe zjarret në vend, duke nisur nga sot do të ulet.
“Reshjet e shiut nuk do të kenë intensitet. Ka pasur vetëm pika shiu dhe reshja ka pasur vetëm në zonën lindore. Përmirësime ka pasur me intensitetin e erës.
Reshje në territor nuk ka pasur dhe nuk parashikohet të ketë. Vetëm disa reshje të izoluara. Era është kryesisht e lehtë dhe mesatare. Presim lajme të mira pasi fundjava parashikon dobësim të erës.
Fundjava do të jetë e qëndrueshme dhe me mot të kthjellët pa reshje”,- u shpreh sinoptikania.
Po ashtu, ajo tha se, java në vazhdim do të sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave, ku maksimumi nuk do ti kalojë 36 gradë Celsius.
“Kemi pasur një rënie të ndjeshme të temperaturave ku nga sot e në vijim termometri nuk do t’i kalojë 33 gardë maksimumi. Në fundjave pritet edhe një rritje e lehtë nga 33-36 gradë.
Vranësirat që janë parë në vend kanë qenë vranësira nga tymi i Saharasë, i bashkuar me tymin e zjarreve. Nuk janë vranësira që shkaktojnë reshje”,- u shpreh ajo.
Ndërkohë të pashpresa mbeten Greqia dhe Turqia, të cilat për të paktën edhe 10 ditë do të mbeten nën ndikimin e valës afrikane, prej së cilës Shqipëria ka mbetur jashtë.
“Greqia dhe Turqia do të mbetet në valën e të nxehtit afrikan edhe për 10 ditë të ardhshme. Shqipëria ka mbetur jashtë kësaj vale, ku gjatë javës në ndonjë zonë të izoluar termometri mund të kapë vlerën 40 gradë celcius”,- shtoi ajo.
/Burimi: BW/