Lojtarët e Premier Ligës do të gjunjëzohen para dy ndeshjeve të fundjavës së ardhshme për të treguar unitetin e tyre kundër racizmit.
Ndeshjet e nivelit më të lartë të futbollit anglez ndërmjet datave 8 dhe 16 tetor do t’i kushtohen fushatës “Nuk ka vend për racizëm”.
Kapitenët e klubit ranë dakord para sezonit që ata të uleshin në gjunjë në momente të rëndësishme për të demonstruar gjestin kundër racizmit. Lojtarët gjithashtu do të gjunjëzohen në ndeshjet e Boxing Day dhe në finalet e Kupave.
Shefi ekzekutiv i Premier Ligës, Riçard Masters tha: “Ne mbështesim vendimin e marrë nga lojtarët për t’u gjunjëzuar në momente specifike gjatë sezonit dhe ne do t’i përdorim këto ndeshje për të promovuar më tej anti-diskriminimin dhe edukimin e tifozëve. Ne vazhdojmë të punojmë shumë për të trajtuar diskriminimin dhe për të përmirësuar mundësitë brenda lojës, në përputhje me planin tonë të veprimit ‘Nuk ka vend për racizëm’. Ne e dimë se mund të bëhet më shumë për të hequr barrierat dhe se futbolli do të përfitojë nga diversiteti më i madh në të gjitha fushat e sportit”, u shpreh ai.