Disfatat e ushtrisë ruse në Ukrainë kanë qenë të shumta sidomos kohët e fundit, me çlirimin e një sërë territoreve nga ushtria çlirimtare e Zelenskyt.
Tërheqja e Rusisë nga më shumë se 40 qytete dhe fshatra në rajonin e Kharkiv të Ukrainës është bërë një shfaqje publike poshtëruese për përpjekjet e luftës të Vladimir Putinit.
Një komandant ukrainas ka deklaruar se ushtarët rusë janë tërhequr me aq emergjencë, sa nuk kanë pasur kohë as të mbarojnë ushqimin të cilin ishin duke konsumuar.
Natyra e dëshpëruar dhe e nxituar e tërheqjes së trupave të Putinit, është vërejtur edhe në gjetjen e municioneve të shumta apo armatimeve që ushtarët lënë pas, nën nxitimin për tu larguar e për të mos u kapur nga ushtarët ukrainas.
“Aq e shpejtë ishte tërheqja ruse, ata nuk patën kohë të përfundonin drekat e tyre sipas një deklarate të dhënë nga një komandant ukrainas. Flamujt e ngritur përreth Kharkivit janë edhe një herë ukrainas. Në vetëm pesë ditë, forcat ukrainase kanë rimarrë më shumë territor sesa Rusia që nga prilli”, shkruajnë mediat britanike.
Prfesori Sir Lawrence David Freedman, në një reagim për mediat britanike, ka deklaruar se fitoret e shpejta dhe tërheqjet në panik ishin një gjë e cila nuk ishte parë asnjë herë më parë.
Ai tha se kundërofensiva mund të rezultojë të jetë një pikë kthese vendimtare pasi sugjeroi se kolapsi i ushtrisë ruse “mund të jetë mjaft i shpejtë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka quajtur kundërsulmimin “një moment përcaktues që mund të çojë në një çlirim të shpejtë të Ukrainës”.