Pesë drejtues mjetesh janë proceduar penalisht në Gjirokastër, për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Mësohet se janë gjobitur në total 665 shoferë dhe janë pezulluar 2 leje drejtimi.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet nga Policia Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë 2 javëve të fundit, si rezultat i shtimit të kontrolleve në kuadër të masave të shtuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, si dhe janë pezulluar 2 leje drejtimi.
Gjithashtu, janë vendosur 665 masa administrative, konkretisht:
- 359 masa për parakalime të gabuara;
- 74 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- 140 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, si dhe
- 92 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor, të cilat janë burim aksidenti.
Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore e Gjirokastrës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë.