Ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim të organizuar nga shoqëria civile, mbi veprimtarinë e SPAK dhe GJKKO. Gonzato tha se korrupsioni duhet luftuar jo vetëm nga SPAK, por edhe nga institucionet e tjera shtetërore.
Gonzato theksoi se BE do të vijojë të mbështesë veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme. Ndër të tjera ai u shpreh se zgjidhja ndaj korrupsionit është parandalimi e jo ligjet represive.
“Disa nga vështirësitë që përballet SPAK janë nevojat për burime njerëzore, nevoja për të rritur kapaciteti hetuesve të BKH dhe numri i ulët i referimeve që bëjnë institucionet shtetërore në SPAK. BE do të mbështesë SPAK për të përballur disa nga këto sfida. Është e rëndësishme të kihet në konsideratë që në luftën ndaj korrupsionit SPAK është vetëm një pjesë, por shumë e rëndësishme. Lufta ndaj këtij fenomeni duhet të bëhet nga çdo shtresë e shoqërisë dhe institucionet. Ligjet represive nuk janë zgjidhje dhe kjo është arsyeja që ne në raportin tonë shprehëm nevojën e parandalimit të korrupsionit”, tha Gonzato.