Kryeqyteti u trondit mbrëmjen e djeshme nga një ngjarje e rendë, ku një i ri mbeti i vdekur në lagjen ‘5 Maji’. 27-vjeçari Mehmet Qema u qëllua me armë për vdekje nga shoku i tij, Marjus Dema. Autori është dorëzur në polici, pas negociatave të policisë me avokatët dhe familjarët e tyre.
Viktima ishte ulur mbrëmë në tavolinat e jashtme të një lokali, së bashku me 5 djem të tjerë, ku kanë qëndruar në shoqërinë e njëri-tjetrit për disa orë. Por teksa autori bënte prova duke mbushur armën, ka qëlluar padashje në drejtim të shokut të tij, i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Mehmet Qema, i njohur me pseudonimin “Tall Man”, ishte i njohuri i shumë personazheve të njohur të showbiz-it, që kanë shprehur sot ngushëllimet e tyre për këtë ngjarje të rëndë.