Katër administratorë subjektesh në Sarandë janë proceduar penalisht, pasi nuk respektuan orarin e përcaktuar për ndalimin e muzikës.
Shtetasit me iniciale D. M., 45 vjeç, D. P., 47 vjeç, D. D., 23 vjeç dhe F. M., 26 vjeç akuzohen për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet në subjekte të ndryshme, gjatë vijës bregdetare, për respektimin e aktit normativ që ndalon muzikën në mjediset e hapura.
Nuk respektuan orarin e përcaktuar për ndalimin e muzikës, procedohen penalisht 3 administratorë subjektesh dhe 1 shtetas tjetër, i punësuar si deejay, në Livadh, Sarandë dhe Ksamil. Gjatë kontrolleve në territorin e bashkive Himarë dhe Sarandë, në kuadër të planit të masave për zbatimin e aktit normativ që parashikon orar për vendosjen e muzikës, në mjediset e hapura, në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare, shërbimet e Policisë kanë konstatuar tre subjekte në të cilat vendosej muzikë, pas orarit të përcaktuar, në Livadh, Sarandë dhe në Ksamil. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për shtetasin:
– D. M., 45 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti në plazhin Livadh.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për shtetasit:
– D. P., 47 vjeç, banues në Mallakastër, administrator i një lokali në lagjen nr.1, Sarandë;
– D. D., 23 vjeç, banues në Sarandë, menaxher i një lokali në plazhin e Ksamilit dhe F. M., 26 vjeç, i punësuar si DJ në këtë lokal.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë iu bën thirrje administratorëve/pronarëve të subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, në ambiente të hapura, të respektojë oraret e përcaktuara në aktin normativ në fuqi, që të mos përballen me penalitete, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.