Pastrimi i shkallëve, mirëmbajtja e pallateve, pompat e ujit apo ashensorët, janë “molla e sherrit” që prej vitesh tashmë shoqëron jetën e cilitdo që bën një jetesë në komunitet.
Nuk janë vetëm qytetarët e thjeshtë ata që nuk paguajnë detyrimet e përbashkëta në pallat, apo që ankohen për administrimin e keq të kompanive administruese.
Ka edhe njerëz të njohur dhe publik, apo ish-ministra, ministra dhe deputetë që gjithsesi, kanë gjithmonë probleme me administratorët e pallateve të tyre, ndonjëherë edhe me të drejtë.
Kjo duket se ka ndodhur këtë herë edhe me ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, i cili pas një konflikti verbal ka paditur në prokurori një kompani ashensorësh në Vlorë.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur pas një konflikti për përdorimin e ashensorit në pallatin e ndërtuar nga Sulo Shehu në “Lugomare”, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, ku Malaj, ka në pronësi të tij një apartament.
Në kallëzimin e siguruar nga “BW”, Malaj ka sqaruar të gjithë situatën, ku shpjegon se, si nisën debatet mes tij dhe administratorit të pallatit, ku ky i fundit i ka kërkuar një shumë lekësh dy herë, për t’u pajisur me “çipa” për ashensorin.
Sipas Malajt, administratori i ka kërkuar para për shërbime që nuk ofrohen dhe se nuk jepte dokumente për pagesën (faturë TVSH-je), që duhet të bënte. Duke marrë shkas nga ky debat, Malaj ka kallëzuar në Prokurori firmën e ashensorëve, “Aulona Lift”.
/Burimi: BW/