Operacioni i dy ditëve më parë për kapjen e 400 kg kokainë në Lipjan të Kosovës, i cili doli se ishte punë e përbashkët e disa agjencive ligj-zbatuese ndërkombëtare, dhe që drejtohej nga DEA amerikane, u dha meritë policive të disa shteteve.
Por e përfshirë në këtë operacion ishte edhe Policia shqiptare, e cila duket se realizoi me korrektësi porositë që iu dhanë nga partnerët ndërkombëtar në momentin e duhur.
Por sot duke dashur të shpreh euforinë për pjesën tonë të suksesit në këtë operacion, pa dashur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka bërë një gafë.
Duke folur me superlativa përpara krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori Veliu, ndër të tjera tha se, operacioni që zgjati 15 ditë nuk u dekonspirua dhe se nga pala jonë nuk doli asnjë informacion.
“Është për t’u vlerësuar jo vetëm finalizimi me sukses i këtij operacioni, por edhe qëndrueshmëria dhe ruajtja e kofidencialitetit dhe e mosdekonspirimit të asnjë veprimi gjatë 15 ditëve të zgjatjes së operacionit.
Të gjithë ju që jeni këtu në sallë e disa nga vartësit e tjerë që mungojnë, të cilët mund të jenë në terren me detyra të tjera, e dinin se çfarë pritshmërie kishin, por nuk na rrodhi asnjë lloj informacioni, asnjë detaj pavarësisht se ishin prezent në terren shumë oficerë nga disa struktura dhe ja arritëm ta finalizonim me sukses”,- deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Me gjasë Veliu kur ka thënë këto fjalë ka pasur parasysh shumë operacione antidrogë të Policisë së Shtetit në vitet e fundit që dekonspiroheshin nga vetë krerët e policive në rrethe, duke njoftuar më herët trafikantët.
Por në asnjë rast në 8 vitet e fundit, sa herë operacionet janë organizuar, mbikëqyrur dhe finalizuar nga partnerët ndërkombëtarë, nuk kanë pasur dekonspirim, me gjithë orvatjet e elementëve të caktuar brenda Policisë së Shtetit, për të informuar kriminelët që i paguanin.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, mbase ka harruar që kur në lojë është DEA amerikane dhe INTERPOL-i, në pranga bien dhe trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë.
Por po ashtu edhe ata që përpiqen të bëhen palë me rrjetin e trafikantëve (sado të fuqishëm të jenë), nëse vijnë nga radhët e policisë, nuk ka shanse të mos zbulohen, demaskohen dhe arrestohen, kur në lojë janë pikërisht strukturat ligjzbatuese të SHBA-ve.
Ndaj është në të mirë të krerëve të Policisë Shqiptare, që as të mos e çojnë në mendje dekonspirimin e aksioneve të tilla, edhe pse në to mund të jenë të përfshirë bosë të mafies apo krimit shqiptar.
/Priza.al/