Një 52-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi tregtonte mish në kushte jo të duhura higjeno-sanitare.
Shtetasi me iniciale B.H., akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”.
Sakaq uniformat blu kanë sekuestruar rreth 450 kg mish pule gjatë kontrollit në magazinë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Ushtronte aktivitetin e përpunimit dhe të tregtimit të mishit, në një magazinë, duke mos zbatuar kushtet higjeno-sanitare, vihet në pranga 52-vjeçari.
Sekuestrohen rreth 450 kg mish pule. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas informacioneve të siguruara se në një magazinë, në rrugën “Myslym Keta”, një shtetas përpunonte dhe tregtonte mish, pa u regjistruar në organet kompetente, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në ambientet e magazinës.
Nga kontrolli i ushtruar dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. H., banues në Tiranë, përpunonte dhe tregtonte mish, në magazinën e tij, në rrugën “Myslym Keta”, jashtë të gjitha kushteve higjeno-sanitare. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 52 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 450 kg mish pule.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.