Debat dhe akuza të forta në gjyqin për Nuredin Dumanin, të penduarin e drejtësisë që ka zbardhur disa vrasje deri tani.
Sot Dumani është përballur me Fatos Gosën, i cili ka mohuar pretendimet dhe akuzat e të penduarit të drejtësisë.
Pjesë nga debati në gjyq;
Nuredin Dumani: Mua më ka nxjerrë në pritë Sueli (Çela). Unë kam shkuar atë ditë në Elbasan bashkë me Henrik Hoxhën do të vrisnim Olti Kilën. Shkuam me dy makina, por ai s’ishte fare në Elbasan.
Henriku komunikonte vazhdimisht me Suelin. Unë vetëm pas atentatit i kam shkruar. Më vonë nuk kam komunikuar më edhe pse ai e ka kërkuar një gjë të tillë. Do zbardhet Matriksi e do dalin.
Avokati: Kur e njohe Talo Çelën dhe pse u prishën marrëdhëniet me të?
Dumani: Fundi i 2009 fillim 2010. Jam njohur nga Ilirjan Feçi. Ai ka urdhëruar Altin Ndocin të vrasë vëllain tim.
Avokati: Makina që u përdor në vrasjen e Andi Zylyfit ka ndenjur në garazhin tënd?
Dumani: Po ka qëndruar. Makinën e kishte vjedhur më parë Altin Ndoci.
Avokati: Keni pretenduar se Fatos Gosa ka qenë informator tek vrasja e Andi Zylyfit?
Dumani: Po ka qenë. E kam paguar.
Avokati: Si ju ka informuar Gosa?
Dumani: Me telefon të enkriptuar. Fliste Talo Çela me të.
Dumani ka dëshmuar se si ka drejtuar një skuadër vrasësish me pagesë në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan.