Elbasani u kthye sërish në qendër të vëmendjes, për incidente me prapavijë politike. Kandidati për deputet i PD-së, Luçiano Boçi dhe biznesmeni i njohur Gjergj Luca u përfshinë dje në një konflikt fizik. Kjo përplasje ndodhi në një lokal në zonën e Labinotit, ku Luca ushtron aktivitetin e tij, ndërsa Boçi ka shkuar për takim me banorët.
Luçiano Boçi është prononcuar për mediat pas sherrit që ka pasur me biznesmenin, ndërkohë që është shfaqur me shenja dhune në qafë. Ai tha se përplasja nuk ishte gjë tjetër veçse agresion me motive politike.
“Një agresion, sulm i Lucës. Nuk është as Zoti, nuk mund t’i them as me termin oligark, se këto janë plehrat e Ramës që ai i ndërsen kundër përfaqësuesve politik. Ky është një agresion me motive politike. Dilja nga një takim për të biseduar me disa përfaqësues, për problemet e zonës. Në dalje ky zotëri, vjen dhe agreson me fjalë dhe më pas më afrohet dhe tenton goditjen, pastaj e agravon situatën deri në kërcënime për jetën. Përgjigjen këta njerëz do ta marrin në datën 25 prill, me votën masive kundër këtij regjimi”, deklaroi Boçi.
Por edhe pala tjetër ka dhënë versionin për ngjarjen në fjalë. Biznesmeni Gjergj Luca, ka hedhur poshtë pretendimet e kandidatit demokrat, ndërsa zbuloi ndër të tjera se Boçi i ka grabitur edhe telefonin.
“E di kush është më e bukura, se më ka grabitur edhe telefonin, më ka rënë telefoni në tokë dhe ma ka marrë. Edhe kamerieri dhe dy njerëz që kanë qenë aty e kanë parë që e ka marrë dhe ka ikur me celular. Uroj që kjo të zbardhet, do të dalin kamerat e Karburantit. Ky është rrugaç dhe grabitës, pasi më ka marrë edhe telefonin. Unë jam i dhunuari dhe ju e shihni. Kam shenjat”, deklaroi Luca.
Sa i takon këtij rasti, janë publikuar pamjet ku tregojnë se si kandidati i PD-së, Luçiano Boçi dhe biznesmeni Gjegj Luca janë përplasur fizikisht në një lokal në zonën e Labinotit, në Elbasan.
Një nga kamerat e sigurisë jashtë lokalit, ka filmuar momentin kur biznesmeni Luca debaton me politikanin e opozitës Boçi, i cili është së bashku me shoqëruesit e tij. Në pamje duket momenti kur në tokë bie një celular, të cilin më pas e merr kandidati i PD-së Luçiano Boçi.