Familjet e dy të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës, janë marrë në mbrojte nga policia.
Kujtojmë se Dumani dhe Hoxha kanë bashkëpunuar me drejtësinë, duke nxjerrë në dritë një seri ngjarjesh kriminale, si dhe emra të njohur të botës së krimit.
Sakaq, në dosjen hetimore nga SPAK, rezulton se Ervis Martinaj ka porositur vrasjen e Endrit Dokles. Dokle, rezulton i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale. Ndonëse ai i ka dhënë një shumë prej 100 mijë eurosh Dumanit, ky i fundit nuk ka pranuar që të eliminojë Doklen. Po ashtu, një tjetër detaj tronditës nga bota e krimit, e shkruar në dosjen hetimore tregon se Florenc Çapja ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit. Një tjetër krim që i është kërkuar të kryhet nga Dumani është dhe porosia që ka bërë Suel Cela, i cili i ka kërkuar që të vrasë një biznesmen. Ndërkohë, vrasjen e Emiljano Ramazanit e dyshohet se e ka kryer Skerdi Tasi, ndërsa shofer ditën kur ndodhi ngjarja ishte Henrik Hoxha.
Me sa duket dëshmia e Nuredin Dumanit ka zbërthyer krimin në Shqipëri, ku dhe SPAK filloi megaoperacionin për goditjen e 8 grupeve kriminale, 4 në Elbasan, 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës.