Obligacionet 10-vjeçare: qeveria siguron më pak se 70% të shumës së parashikuar, kuponi rritet në 2.2%

Qeveria shqiptare po përballet me vështirësi në rritje për të financuar të gjithë deficitin e parashikuar në tregun e brendshëm financiar.

Këto vështirësi u vërejtën qartë këtë javë edhe në ankandin e obligacioneve në monedhën euro. Ministria e Financave kishte nxjerrë në shitje obligacione dyvjeçare në vlerën e 100 milionë eurove, që do të rifinanconin instrumentet me të njëjtin maturitet që ishin emetuar në prill 2020.

Por, nga 100 milionë euro obligacione të ofruara, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa për rreth 79 milionë euro. Prej tyre, Ministria e Financave pranoi kërkesa deri në vlerën e 69 milionë eurove, ndërsa një kërkesë në vlerë të lartë e paraqitur në ankand (me vlerë rreth 10 milionë euro) nuk u pranua, me sa duket, për shkak të interesit të lartë të kërkuar. Përfundimisht, kuponi i obligacionit rezultoi në nivelin 2.2%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 1.96% i ankandit të dy viteve më parë.

Ankandi i obligacioneve dyvjeçare në euro konfirmon kushtet më të shtrënguara me të cilat po përballet qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar. Dy vjet më parë, përkundrejt një shume shpallur për financim prej 100 milionë eurosh, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 160 milionë euro. Ndërkohë, në ankandin e kësaj jave kërkesat totale nuk arritën as gjysmën e atyre të prillit 2020.

Ndikimin kryesor besohet se ka dhënë një pjesëmarrje shumë më e ulët e bankave, që janë edhe financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Megjithëse Banka e Shqipërisë mori disa masa lehtësuese, duke e njohur edhe këtë investim në obligacione me peshë rreziku zero (nga norma standarde 100%) për efekt të llogaritjes së majftueshmërisë së kapitalit, kjo nuk ka mjaftuar për të garantuar një sukses të plotë ankandit.

Që prej fillimit të muajit mars, qeveria nuk po arrin dot të sigurojë të plota shumat e parashikuara për financim në ankandet e bonove dhe obligacione, ndërsa paralelisht, yield-et po shënojnë rritje të ndjeshme. Ekspertët e tregut financiar e shpjegojnë uljen e pjesëmarrjes në ankandet e titujve qeveritarë me momentin e zhvendosjes drejt normave më të larta të interesit.

Pritshmëritë që normat e interesit të vazhdojnë më tej rritjen duket se kanë bërë që shumë investitorë të qëndrojnë në pozita pritëse, sidomos për instrumentet më afatgjata, në pritje të rritjes së mëtejshme të normave. Këto pritshmëritë u forcuan më shumë pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që më datë 23 mars vendosi të rrisë normën bazë për herë të parë pas 10 vjetësh. Analistët besojnë se një hap të tillë do ta ndërmarrë së shpejti edhe Banka Qendrore Europiane dhe kjo ka krijuar pritshmëri të qarta për rritje të normave të interesit edhe për instrumentet financiare në euro.

Për tremujorin e dytë të vitit, huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar planifikohet të ketë vlerën e 96.8 miliardë lekëve, në rritje me afërsisht 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, duke parë tendencën e javëve të fundit, financimi i plotë i huamarrjes duket se do të jetë i vështirë: kjo mund ta vendosë qeverinë përballë nevojës për të rishikuar nivelin e deficitit buxhetor ose për të kërkuar rrugë alternative për financimin e tij./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *