Vlera e obligacioneve me ofertë private të kompanive shqiptare është rritur sërish në gjysmën e parë të këtij viti. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në mesin e këtij viti arriti në 8.4 miliardë lekë ose rreth 69 milionë euro. Vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 5% që nga fillimi i vitit dhe 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Më shumë se gjysma e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga të cilat 48.2% në euro dhe 6.4% në dollarë amerikanë. Edhe këtë vit po vërehet një rritje e mëtejshme e peshës së obligacioneve në valutë, që arritën në 54.6% të totalit, nga 50.5% që përbënin një vit më parë.
Obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri ato kanë nisur të përdoren duke filluar nga fundi i vitit 2011 dhe kryesisht emetues të këtyre instrumenteve kanë qenë bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” e njeh një pjesë të borxhit të varur si kapital rregullator i nivelit të dytë, deri në një masë të caktuar. Ndërsa institucionet e tjera financiare e kanë aplikuar emetimin e obligacioneve si një formë për të siguruar financime për të mbështetur aktivitetin e tyre kreditues. Blerësit e këtyre instrumenteve kanë qenë zakonisht individët, por nuk kanë munguar edhe investitorë institucionalë, si, për shembull, kompani të sigurimeve.
Sipas ekspertëve, këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar. Tregu i obligacioneve me ofertë private është ende i dominuar nga emetimet e institucioneve financiare dhe, sipas ekspertëve, rreziku për investitorët është i kufizuar, sepse këto institucione janë të rregulluara, të mbikëqyrura dhe likuide.
Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, edhe për shkak të mungesës së një tregu të këtyre titujve. Shqipëria ka një bursë operative që prej vitit 2018, por deri në fillim të këtij viti ajo nuk mund të ofronte tregtim të titujve të emetuesve privatë, për shkak të boshllëqeve në infrastrukturën e tregut. Oferta publike do t’i bënte këto instrumente të tregtueshme dhe likuide, duke krijuar mundësinë e shitjes në çdo kohë ose përdorimin e tyre si kolateral financiar për marrjen e huave. Institucioni financiar NOA është e vetmja shoqëri tregtare që ka pranuar publikisht qëllimin për të hyrë në Bursë, me qëllim emetimin e obligacioneve.
/Marrë nga Monitor/