Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjatë një konference të fundit për mediat, ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me Covid-19, duke vlerësuar se 90% e popullsisë botërore tashmë ka njëfarë rezistence ndaj virusit. Megjithatë sipas tyre kjo nuk do të thotë se pandemia ka mbaruar dhe pikërisht tani, kur duket se vigjilenca ndaj koronavirusit ka rënë, mund të shfaqen variante të reja shqetësuese.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus kjo ulje e vigjilencës sjell mundësinë për shfaqjen e një varianti të ri të Covid-19, i cili mund të kapërcejë Omicron-in dominues. Për gazetarët ai tha:
“OBSH mendon se të paktën 90% e popullsisë së botës në këtë moment ka njëfarë imuniteti ndaj Sars-CoV-2, për shkak të infektimit ose vaksinimit të mëparshëm. Ne jemi shumë më afër që të jemi në gjendje të themi se faza e urgjencës së pandemisë ka mbaruar, por ne nuk jemi ende atje fatkeqësisht. Boshllëqet që janë vënë re në mbikëqyrje, testim dhe vaksinim janë duke krijuar kushtet perfekte për t’u shfaqur një variant të ri shqetësues që mund të shkaktojë vdekshmëri dhe një valë tjetër të rëndë”.
Sipas Tedros tani në botë janë duke qarkulluar gati 500 nënlloje të Omicron, të gjitha shumë të transmetueshme. Të dhënat e OBSH-së tregojnë se gjithsej janë raportuar 6.6 milionë vdekje nga Covid-19 gjatë këtyre gati 3 viteve pandemi, nga afro 640 milionë raste të regjistruara.
Fakti që javën e kaluar në botë humbën jetën më shumë se 8,500 njerëz nga Covid-19, sipas kreut të OBSH nuk është e pranueshme, kur kemi kaq shumë mjete për të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetë.
Burimi: Reuters