Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lajmëruar se situata e pandëmisë COVID-19 gjatë këtij viti është përmirësuar shumë. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia se virusi famëkeq mund të kërcënojë sërish përmes gripit sezonal.
Fundjavën e kaluar u mbushën tre vjet që kur agjencia shëndetësore e OKB-së e përshkroi për herë të parë situatën si një pandemi.
“Mendoj se po arrijmë në atë pikë ku mund ta shikojmë Covid-19 në të njëjtën mënyrë si gripin sezonal. Një kërcënim për shëndetin, një virus që do të vazhdojë të vrasë. Por një virus që nuk po prish shoqërinë tonë ose nuk po prish sistemet tona spitalore dhe besoj se do të vijë, siç tha Tedros, këtë vit” – tha drejtori i urgjencave të OBSH-së, Michael Ryan.
Shefi i OBSH tha se bota ishte në një pozitë shumë më të mirë tani sesa ka qenë në çdo kohë gjatë pandemisë.
“Kam besim se këtë vit do të jemi në gjendje të themi se Covid-19 ka përfunduar si një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC). Ne shpallëm një emergjencë globale shëndetësore për të nxitur vendet të ndërmarrin veprime vendimtare, por jo të gjitha vendet e bënë. Tre vjet më vonë, ka pothuajse shtatë milionë vdekje të raportuara nga Covid-19, megjithëse ne e dimë se numri aktual i vdekjeve është shumë më i lartë” – tha ai.
Ai ishte i kënaqur që për herë të parë, numri javor i vdekjeve të raportuara gjatë katër javëve të fundit ka qenë më i ulët se që nga alarmi që u dha për përhapjen e pandemisë COVID-19.