OBSH pezullon miratimin e vaksinës ruse Sputnik V

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka pezulluar procesin e miratimit për vaksinën ruse Sputnik V, deri në përfundim të një inspektimi të ri në të paktën një prej fabrikave ku prodhohet.

Në një konferencë shtypi të Organizatës Pan Amerikane të Shëndetit, një degë rajonale e OBSH-së, nëndrejtori Jarbas Barbosa tha se oferta e Rusisë për autorizimin e urgjencës ishte pezulluar pasi janë zbuluar disa shkelje në prodhimin e vaksinës. Kjo është evidentuar gjatë një inspektimi të OBSH-së në Rusi në maj.

“Procesi për listën e përdorimit emergjent të Sputnik V (EUL) u pezullua sepse gjatë inspektimit të njërës prej uzinave ku po prodhohet vaksina, u zbulua se uzina nuk ishte në pajtim me praktikat më të mira të prodhimit”, tha Barbosa të mërkurën.

OBSH ka raportuar më parë se ka gjetur shkelje të shumta dhe kishte shqetësime në lidhje me “zbatimin e masave adekuate për të zbutur rreziqet e kontaminimit të kryqëzuar” në një fabrikë Pharmstandard në qytetin rus Ufa.

Shkencëtarë të pavarur dhe figura të industrisë i thanë The Moscow Times se shkeljet në prodhim mund të komprometojnë cilësinë e vaksinës.

Rusia aplikoi për miratimin e Sputnik V nga OBSH dhe nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA) në shkurt, pas publikimit të hulumtimit në revistën kryesore mjekësore “The Lancet”, e cila tregoi se vaksina kishte 91.6% efikasitet.

Por oferta ka hasur në probleme të shumta dhe është shoqëruar me vonesa.

EMA dhe OBSH thanë javën e kaluar se ishin ende në pritje të një “grupi të plotë të të dhënave” nga zhvilluesit e Sputnik V. EMA refuzoi të thotë se çfarë lloj informacioni mungonte.

Marrja e miratimit nga secila organizatë do të ishte një fitore e madhe për Rusinë, e cila ka nisur një përpjekje agresive të diplomacisë së vaksinave dhe ka shitur miliona doza në dhjetëra vende. Gjithashtu do të hapte rrugën për njohjen e mundshme reciproke të vaksinave, duke thjeshtuar udhëtimin pas pandemisë për rusët e vaksinuar me Sputnik V.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *