Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Federata Ruse ka kryer 620 sulme ndaj shërbimeve shëndetësore në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.
Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, foli në një konferencë për shtyp mbi ndikimet shëndetësore të luftës në Ukrainë.
Sipas tij, prioritetet kryesore për OBSH-në përfshijnë nevojat shëndetësore të atyre në Ukrainë dhe “parashikimin dhe përgatitjen për sfidat që do të sjellë dimri”, tha ai.
“Sfidat e dimrit dhe përshkallëzimi i fundit i luftimeve, mund të shtojnë zhvendosjen e brendshme të konsiderueshme me një pritshmëri prej dy deri në tre milionë njerëz në lëvizje në vetë Ukrainën, si dhe një tjetër eksod refugjatësh në vendet përreth”, tha ai.
Për më tepër, sipas Kluge, çështjet e shëndetit mendor, një tjetër prioritet për OBSH-në, ka të ngjarë të “përkeqësohen”.
“Dhjetë milionë njerëz… janë potencialisht në rrezik të çrregullimeve mendore, duke përfshirë stresin akut, ankthin, depresionin, abuzimin me substancat dhe çrregullimin e stresit post-traumatik”, tha ai, duke shtuar se ky vlerësim ishte bërë përpara përshkallëzimit të fundit në Ukrainë.
Siç është raportuar, Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson tha se vendet e BE-së duhet të jenë gati për një fluks të shtuar të ukrainasve, veçanërisht me afrimin e dimrit.