Zyrtarët amerikanë dhe evropianë po mbërrijnë në Beograd në ditët në vijim për të intensifikuar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Përveç ndërmjetësve tashmë të njohur në dialog, më 12 janar në Beograd vjen edhe Derek Chollet, këshilltar në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai këtë javë do të jetë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Milovan Drecun, kryetar i Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, tha për Radion Evropa e Lirë (RSE) se Beogradi nuk do të refuzojë kurrë bisedimet.
“Por është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet”, tha Drecun.
Drecun është anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, udhëheqësi i së cilës është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas Chole, siç paralajmëroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd duhet të mbërrijnë edhe ndërmjetësit evropianë.
Sipas njoftimeve nga mediat, pritet ardhja e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Të dërguarit e presidentit francez dhe gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner, duhet të vijnë me ta.
Milovan Drecun, përfaqësuesi i progresistëve në pushtet, e vlerësoi iniciativën e ardhshme diplomatike si fillimin e një fushate të fortë, qëllimi i së cilës është të “detyrohet” Beogradi të diskutojë planin evropian të njohur si plani franko-gjerman me Prishtinën, me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA.
Plani franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë mes Serbisë dhe Kosovës është një propozim i BE-së, i cili u mbështet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Ky plan nuk është bërë publik, por i është prezantuar të dyja palëve në dialog.
Disa nga elementet kyçe të këtij plani, të cilat RSE-ja kishte njohuri, janë të drejtat e barabarta për Serbinë dhe Kosovën, respektimi i integritetit territorial dhe paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një marrëveshje e veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Çfarë tha Šole para mbërritjes së tij në Beograd?
Këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Schole, tha se SHBA dhe BE duan që të dy palët të diskutojnë përmbajtjen e propozimit të BE-së.
Më 6 janar, para mbërritjes së tij në Ballkanin Perëndimor , ai i tha Zërit të Amerikës se në javët e fundit, ishte investuar shumë energji për të parandaluar që kriza të përshkallëzohej në dhunë.
“Në vend të kësaj, ata më mirë do ta investonin atë energji diplomatike në bisedimet për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, të ardhmen e propozimit për normalizimin që parashtroi Bashkimi Evropian, i cili do të kishte rrënjë në njohjen reciproke”, tha Šole.