OKB akuza Iranit për injorim të hetimeve për gjurmët bërthamore

Kreu i agjensisë bërthamore të OKB-së akuzoi Iranin të hënën se nuk i është përgjigjur pyetjeve për zbulimin e pjesëzave të uraniumit në vendndodhje të padeklaruara në vend.

Rafael Grossi, drejtori i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, është përpjekur prej vitesh të bindë Iranin të japë përgjigje për grimcat e gjetura në tre vendndodhje, për të cilat ekziston mundësia të kenë lidhje me programin bërthamor të Iranit.

Megjithatë, zoti Grossi tha në Vjenë se “pritshmëritë e mia për këtë proces, sigurisht që nuk u përmbushën”.

“Është shumë e qartë se isha duke pritur për një ‘proces fokusimi’, siç e quajta në atë kohë, që do të na lejonte të bënim progres të qartë drejt qartësimit të këtyre çështjeve”, tha ai. “Dhe kjo nuk ka ndodhur”.

Zoti Grossi tha se Teherani “ka përsëritur vullnetin e tij për t’u angazhuar dhe për të bashkëpunuar dhe për të ofruar përgjigje. Por, nuk kanë vepruar kështu deri më tani. Shpresoj që kjo të ndryshojë. Por deri në këtë moment, nuk kemi patur ndonjë progres konkret për ndonjërën nga çështjet”.

“Mungesa e progresit po i qartëson pikëpyetjet e agjencisë për sa i përket korrektesës dhe përmasave të plota të masave të vendosura nga Irani, të cilat ndikojnë seriozisht tek aftësitë e agjensisë për të ofruar garancitë për natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit”, tha zoti Grossi.

Nuk pati komente të menjëhershme nga qeveria iraniane.

Çështja e inspektimeve është e ndarë nga bisedimet në vazhdim për rikthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 për kufizimin e programit bërthamor të Iranit. Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja. Irani pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

/Marrë nga VOA/

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *