Zyra Anti-korrupsion e Anti-mashtrim e BE, ka zgjeruar edhe para vitit 2017, hetimin për abuzimet me fondet “IPARD” që ka dërguar për bujqësinë në Shqipëri; të cilat, janë vjedhur e nuk u janë dhënë fermerëve, por atyre kanë ndërtuar banesa, vila, restorante, hotele e pallate.
Në informacionin, që “Pamfleti” ka siguruar nga burime konfidenciale në BKH, thuhet se Zyra Anti-korrupsion e Anti-mashtrim e BE (OLAF), ka çuar në SPAK dhe zonjën Suela Popa, bashkëshorte e ish-deputetit të LSI, Vangjel Tavo, tashmë Kryetar i Bashkisë së Himarës.
Kjo ishte Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural (AZHBR) në vitet 2013-2017, si përfaqësuese e LSI; vite kur agjencia anti-korrupsion OLAF e BE, ka zbuluar abuzime të shumta me fondet IPARD, që BE ka dërguar për fermerët e Shqipërisë.
Sipas informacionit, gjatë periudhës janar 2014- prill 2017, me urdhër të ish-drejtores Suela Popa dhe në bashkëpunim të saj me vartësit, janë bërë dokumente false për 16 milionë Euro tenderë, duke i deklaruar shërbime e investime fiktive.
Por kështu, në dosjet AZHBR-së të verifikuara në terren, janë konstatuar 176 milionë Euro sikur u janë dhënë fermerëve për sera, dhoma frigoriferike, makineri bujqësore, vreshta, ullishte, bletari, pemëtore, blerje bagëti, stalla e linja prodhim-përpunimi produktesh agro-blegtorale.
Nga hetimi i OLAF, ka rezultuar se ato u janë dhënë personave e subjekteve që nuk kanë pasur lidhje me bujqësinë, por kanë plotësuar dokumente false sikur kanë qenë fermerë dhe sikur gjoja i kanë investuar në bujqësi, blegtori e linja përpunimi.
Madje ish-drejtoresha Suela Popa e LSI-së dhe gruaja e Vangjel Tavos, ka firmosur akt-kontrolle false, duke mashtruar sikur vetë ajo dhe ekipet e AZHBR-së, kanë verifikuar dhe kanë konstatuar, se fondet e dhëna janë investuar sipas destinacionit në bujqësi e blegtori .
Në fakt, verifikimi që bëri OLAF i BE në terren sipas dosjeve e emrave përfitues, zbuloi se nga 176 milionë Euro fonde bujqësore IPARD, që AHZBR ka dhënë me urdhër të drejtoreshës Suela Popa gjatë periudhës janar 2014-prill 2017; afro 94 milionë Euro janë përdorur për ndërtim pallatesh, vila, hotele e bujtina, nga persona të lidhur me PS e LSI.
Vetëm 11 milionë Euro u janë dhënë fermerëve, ndërsa 82 milionë Euro nuk figurojnë fare si investime; madje me letra false, në disa raste u janë dhënë firmave nuk kanë ekzistuar në QKB.
Po kështu dhe personave që kishin vdekur para vitit 2013, por drejtuesit e AZHBR-së i kanë deklaruar si të gjallë, si aplikues e përfitues me letra false, fakt që po hetohet si vjedhje.
Në vitin 2017, këto dosje abuzimi, falsifikimi e vjedhjesh të firmosura nga Suela Popa e stafi i saj; i fshehu drejtoresha pasardhëse Frida Krifca e PS; madje kjo bëri të njëjtat zullume në vitet 2017-2021 dhe zhduki shumë dosje, me mendimin se nuk do hetoheshin.
Nga drejtësia shqiptare nuk do të hetoheshin asnjëherë, por i hetoi dhe i zbuloi zyra OLAF e BE; e cila prej 3 vitesh ka dorëzuar raportin dhe kallëzimin në SPAK, por SPAK nuk po vepron; madje iu shtua dhe dosja e ish-Drejtores së AZHBR-s, Suela Popa, për të njëjtat abuzime në vitet 2014-2017, me fondet bujqësore që ka dërguar BE për fermerët.
Kujtojmë, se prej muajit dhjetor 2018, gruaja e Vangjel Tavos është Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shtetit; emëruar nga PS, me propozim e urdhër të Edi Rama.