Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, pas prezantimit të hartës së re Gjyqësore, para gazetarëve është ndalur edhe tek ngjarjet kriminale të ndodhur vazhdimisht në vendin tonë.
Ai thotë se Prokuroritë duhet të vijojnë hetimet pa u ndalur për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale.
“Prokurorët kanë pasur mbështetje për të vepruar në përputhje me ligjin. Kanë pasur mbështetjen e të gjitha strukturave jo vetëm të Prokurorisë së Përgjithshme, por dhe të Policisë së Shtetit. Megjithë vështirësive, mesazhi i dhënë prokurorive është që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda që kërkojnë një angazhim të një niveli tjetër. Do hetohen ngjarjet e rënda. Unë ju siguroj që prokuroria, situata është e tillë vazhdon të kryejë funksionet kushtetuese dhe ligjore” – tha Çela.
Çela foli edhe për hartën e re gjyqësore, të cilën e konsideroi si një element thelbësor për sistemin e drejtësisë.
“Ka domosdoshmëri për hartën gjyqësore, për shkak dhe të reformës në drejtësi që po vijon. Kemi një numër më të paktë të magjistratëve nëpër gjykatat kryesore. Tek Prokuroria problemi është i mprehtë. Harta është një instrument i duhur për të pritur deri në plotësimin e magjistratëve. Ka opsione për zgjidhjen e infrastukturës. Besoj që do kemi mbështetjen e plotë për nevojat e Prokurorisë. Të vlerësojmë nevojat për ndërtimin e godinave të reja, por ngelet për t’u zgjidhur si çështje kjo. Prokuroritë do kenë infrastrukturën e nevojshme” – tha Çela.
/Priza.al/