Policia e Shtetit ka dhënë sot detaje nga aksioni ku u zbulua dhe u asgjësua kanabis, që ishte mbjellë në serë në një fshat të Dimalit.
Me anë të një deklarate për mediat, policia bën me dije se janë sekuestruar 700 arka me kanabis, 8 thasë me hashash dhe sasi të tjera. Ndërkohë gjatë aksionit u arrestuan edhe 11 persona: Hamdi Dyli, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Blerim Xheka, Bashkim Mema, Edison Mema, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha, Samoel Lushaj, Drita Mema, Izmire Mema.
Njoftimi i policisë:
Siç jeni në dijeni nga komunikimet e përditshme, strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet e pandërprera të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i punës hetimore dhe profesionale, të kryer nga Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbështetur dhe me inteligjencë informative, rezultoi se në territorin e fshatit Rërëz, në disa sera në pronësi të shtetasit H. D., kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, të kultivuara më parë në këtë zonë.
Bazuar në informacionet e grumbulluara, në orët e para të mëngjesit të datës 10.11.2022, nga Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, u finalizua megaoperacioni policor i koduar “Stuhia”.
Nga finalizimi i këtij megaoperacioni, në territorin e fshatit Rërëz, u lokalizuan serat për të cilat Policia e Shtetit dispononte informacion se brenda tyre kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, si dhe ambalazhimi i lëndës narkotike.
Shërbimet e Policisë kanë kapur në brendësi të serave, dhe kanë arrestuar në flagrancë 11 shtetas të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale, konkretisht:
– H. D., 36 vjeç (pronari i tokës ku ishin vendosur serat), E. Xh., 30 vjeç, B. Xh., 42 vjeç, S. L., 22 vjeç, J. U., 23 vjeç, M. D., 24 vjeç, S. B., 27 vjeç, B. M., 48 vjeç dhe E. M., 20 vjeç, D. M., 43 vjeçe dhe I. M., 25 vjeçe.
Nga veprimet operacionale të kryera nga shërbimet e Policisë, në kushtet e flagrancës, shërbimet gjetën dhe sekuestuan edhe 3 armë zjarri, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov, të cilat i posedonin shtetasit e arrestuar, B. Xh., H. D. dhe J. U.
Në ambientet e brendshme të serave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis.
Këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të këtij megaoperacioni, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të serave dhe sekuestruan në cilësinë provës materiale,
- 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis, në proces përpunimi dhe
- 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike.
Gjithashtu, nga kontrolli ne brendësi të serave, janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike, 4 automjete dhe një numër i madh aparatesh celulare të shtetasve të arrestuar, si dhe të shtetaseve të cilat u gjetën në sera, duke përpunuar bimët narkotike.
Nga veprimet e para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, rezulton se këto sera kanë shërbyer për prodhimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për ambalazhimin e lëndës narkotike, me qëllim trafikimin e saj.
Për hetimin e plotë të këtij rasti është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i kryesuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, me specialistët e Drejtorisë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Vijojnë veprimet e thelluara, nga grupi i posaçëm hetimor, për këtë megaoperacion dhe për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije, detaje të tjera rreth këtij megaoperacioni.
Policia e Shtetit është e vendosur për të parandaluar dhe goditur krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti, duke bashkëpunuar ngushtësisisht me agjencitë ligjzbatuese, si dhe duke u mbështetur fuqimisht te aleatët tanë kryesorë që janë qytetarët, ndaj vazhdimisht i ftojmë qytetarët që të vijojnë të mbështetin edhe më shumë Policinë e Shtetit, e cila është çdo ditë në shërbim të sigurisë së komunitetit.