Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar për vjedhje të ndryshme në Kryeqytet. Policia e Tiranës bën me dije se ka sekuestruar veshje dhe pajisje të cilat dyshohet se autorët i kanë përdorur për kryerjen e vjedhjeve, dy lap top dhe sende të tjera të vjedhura. Operacioni u kodua “Dark” ka dërguar në qeli shtetasit Valon Mucici, 26 vjeç, dhe Elvis Ndoja, 24 vjeç, banues në Tiranë.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kryer vjedhje të ndryshme, kryesisht gjatë natës, gjatë ditëve të fundit.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se janë autorë të disa ngjarjeve, konkretisht:
* Më datë 25.03.2022, gjatë natës, në rrugën “Qemal Stafa”, dyshohet se kanë vjedhur një çantë në mjetin në pronësi të shtetases A. S. Po në këtë datë kanë vjedhur dy laptopë dhe disa vegla pune, në garazhin e shtetasit J. B.;
* Më datë 29.03.2022, dyshohet se kanë vjedhur një laptop, një çantë me sende personale dhe tre aparate celulare, në mjetin në pronësi të shtetases V. D.;
*Më datë 30.03.2022, dyshohet se i kanë vjedhur orën dhe portofolin, shtetases J. S. Po në këtë datë, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në një automjet të parkuar, në pronësi të shtetasit A. N.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje dhe pajisje të cilat dyshohet se autorët i kanë përdorur për kryerjen e vjedhjeve, dy laptopë dhe sende të tjera të vjedhura.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.