Një operacion ndërkombëtar po zhvillohet në disa shtete përfshirë edhe Shqipërinë.
Mes personave të arrestuar janë edhe pesë punonjës policie dhe 1 prokuror.
Ndaj prokurorit është lëshuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Mësohet se bëhet fjalë për një prokuror të Prokurorisë së Vlorës i cili është identifikuar si Maksim Sota. Ai u skualifikua në fazën e parë të vettingut.
Prokurori Maksim Sota e ka nisur detyrën në Prokurorinë e Vlorës dhe ka qenë drejtues i kësaj prokurorie për disa vite. Gjatë intervistimit, Sota ka shprehur ambicien e tij për hetime të rëndësishme dhe ka thënë para Këshillit se mban përgjegjësi të plotë për dosjet që ka hetuar.
“Kam kërkuar gjithmonë të hetoj dosje të vështira dhe të përdor njohuritë e mia në ngritjen e akuzës. Kam mbajtur përgjegjësi maksimale për dosjet që kam pasur në hetim dhe të cilat kanë përfunduar në Gjykatë me vendime të formës së prerë”, ka deklaruar Sota.
Ndër të tjera, mësohet se janë sekuestruar disa pasuri. Dyshohet se në shënjestër është vendosur një grup që trafikonte drogë e pastronte para teksa në pranga kanë rënë edhe zyrtarë të shtetit që kanë shpërdoruar detyrën e kanë kryer korrupsion.
/Priza.al/