Të tjera detaje kanë dalë nga lidhja e kreut të bandës të trafikut të drogës, Ilirjan Duçellari i njohur si “Lani”, me ish-zëvendësdrejtorin e Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisarin e Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokëlopa, të cilat gjendjen në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.
Referuar dosjes se Prokurorisë, të penduarit e drejtësisë, Donjol Drolli dhe Mariglen Shusha, mësohet se kanë deklaruar se Ilirjan Duçellari kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Në dosjen e SPAK, thuhet se Drolli e Shosha deklarojnë se Ilirjan Balla jepte garanci për pjesën tokësore të trafikut, pra për pjesën nga kultivimi, te magazinimi e deri në momentin që niseshin skafet nga brigjet e Vlorës. Sipas tyre, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës ka qëndruar në shtëpinë me qira, që paguhej nga Ducellari, bashkë me Sotën dhe të penduarin Shusha.
Sipas tyre Balla ishte një ndër mbështetësit kryesor dhe garantonte çështjen e trafikut të drogës. Madje, në një moment, Balla u transferua nga Policia e Vlorës në atë të Dibrës, duke bërë që të kishte dhe një lëkundje në aktivitetin kriminal.
Nga ana tjetër, në dosjen e SPAK zbulohet edhe roli i ish-nënkomisarit të Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte shuma të mëdha parash nga trafikantët.
“Në kohën që ka ndodhur vepra penale, se bëhet fjalë për trafik droge të ndodhur në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokëlopa”. Sipas tyre, ai ishte një person që merrte para hapur nga trafikantët. Festim Lelaj ka një tjetër dënim mbi supe për përfshirjen në trafikun e 2.5 tonë droge drejt Italisë. Kjo është akuza e dytë zyrtare. Sipas të penduarve, ai merrte shuma të konsiderueshme parash, sipas të penduarve. Këta të fundit nxjerrin edhe emra të tjerë zyrtarësh të implikuar dhe flasim për të dhëna alarmante, se si zyrtarë të ndryshëm ishin të përfshirë në çështjet e trafikut të drogës, duke pranuar para nga trafikantët, që t’i linin ata të qetë për të trafikuar sasi të mëdha droge”, shkruan Balkanweb, duke iu referuar dosjes së SPAK.
Operacioni `Shpirti`
Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës. Janë 38 urdhër-arreste të prera, 10 prej tyre të prera më herët në operacionin “Kulmi”. Në mesin e tyre, është prokurori i Vlorës, Maksim Sota, emri i të cilit u përmend nga një trafikant droge, me të cilin kishte jetuar në një shtëpi, si dhe zyrtarë policie e trafikantë. Dy ish-truprojat e Tahirit tashmë fshihen në Spanjë. 28 të arrestuarit e operacionit “Shpirti” do të dalin sot para Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku do të njihen me masën e sigurisë.
/Priza.al/