Pavarësisht inflacionit, luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve, shifrat zyrtare të mbërritjeve të turistëve kanë shkaktuar buzëqeshje dhe optimizëm në Athinë.
Në një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, ministri grek i Turizmit, Vassilis Kikilias thekson se “këtë vit turizmi tregoi se është vërtet “industria e rëndë” e Greqisë dhe jo vetëm mund të forcojë ekonominë kombëtare, por edhe t’i ofrojë asaj mbështetje të konsiderueshme në kushte shumë të vështira siç janë ato që, për fat të keq, mbizotërojnë sot në të gjithë Evropën.”
“Çdo javë Greqia pret gati 1 milion turistë”, nënvizon ministri grek, ndërsa veçon faktin se “në ishujt në jug të Egjeut në muajin e kaluar pati një rritje prej 20% në krahasim me vitin 2019 sa u përket fluturimeve nga Europa dhe SHBA”.
“Mbërritjet e turistëve të huaj në aeroportet e vendit arritën në rreth 3.5 milion në qershor, 193% më shumë nga viti i kaluar dhe gati sa niveli i vitit 2019 , vetëm në Athinë priten këtë javë 1 milion vizitorë ,15000 në ditë vizitojnë Akropolin, por e rëndësishme është dhe mbërritja e turistëve nga vendet ballkanike”, ka deklaruar edhe zëdhënësi i qeverisë.
“Turizmi po regjistron nivele të larta edhe në rajone të tjera të vendit, si në krahinat e Maqedonisë Qëndrore dhe Perëndimore, pasi vizitorët nga Rusia dhe Ukraina janë zëvendësuar me ata nga vendet e Ballkanit dhe kjo mundi të balancojë humbjet që patëm nga këta turistë”, tha Giannis Oikonomou zëdhënësi i qeverisë greke.
Turizmi, ky sektor jetik për vendin pasi përbën gati një të katërtën e ekonomisë greke dhe punëson 20% të popullsisë aktive,pritet të arrijë këtë vit 80-90% të rekordit të vitit 2019 kur Greqinë e vizituan gati 32 milion turistë duke sjellë rreth 18 miliardë euro të ardhura.
Referenca e veçantë e zyrtarëve greke është fakti se mbërritjet nga SHBA janë rritur me 50% krahasuar me vitin 2019, 32% ato nga Austria dhe 24% nga Izraeli.
Gjithashtu Greqia këtë vit është destinacioni numër 1 për udhëtarët nga Franca, qëndron në 3 vendet e para në Gjermani dhe Skandinavi dhe ka preferencë të lartë për turistët nga Ballkani.
Burime qeveritare shprehen se të ardhurat nga turizmi i mundësojnë shtetit të mbështesë më tej qytetarët që po gjunjëzohen nga çmimet e larta të shkaktuara nga kriza energjetike dhe të krijojë një rezervë ekonomike për dimrin e pasigurt që po vjen nën hijen e zhvillimeve të luftës në Ukrainë.