Ish-kryeministri, Sali Berisha, ditën e sotme ka mbledhur në selinë blu kryetarët e zgjedhur të degëve për çështje organizative dhe për të shpalosur planin se si do të bëhen gati për të nisur protestat, të cilat sipas tij do të rrëzojnë shumë shpejt regjimin e Edi Ramës.
Por kur të gjithë po prisnin që të merrej me këto çështje madhore, ai nisi një sulm të egër kundrejt Agron Kapllanajt.
OK, po ku hyn Kapllanaj në një takim me kryetarët e PD-së së Rithemelimit, të cilët mblidhen bashkë për herë të parë dhe kanë boll halle me organizimin e bazës?
Berisha nuk e fsheh se më shumë se “Organizimi i PD” dhe “Rrëzimi i Ramës” me protesta në shtator, merakun e ka te zgjedhjet e ardhshme lokale. Edhe më i madh bëhet ky hall pasi po sheh distancimin e ngadaltë, por gati të sigurt, të Ilir Metës dhe LSI-së ndaj tij.
Shiringa e mbijetesës-LSI që mori me zgjedhjet e 6 majit të cilat e nxorën mbi ujë përkohësisht, duket se nuk është më e sigurt për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Berisha e ka sfidë, “jetë a vdekje”, paraqitjen e suksesshme gjatë këtyre zgjedhjeve, (nëse gjërat vazhdojnë kështu), sepse ato janë vendimtare për fatin e tij në vazhdimin e drejtimit të PD-së së Rithemelimit. Nëse i humbet ai duhet të japë dorëheqjen sipas ndryshimeve të fundit statutore, por edhe nëse nuk e bën (kanë lënë një klauzolë për lokalet), atëherë miti që ka vetë-ngritur se “Me Berishën fitojmë dhe mundim Ramën”, bie përfundimisht.
Zgjedhjet e ardhshme lokale janë kthyer që tani në një makth për Berishën dhe gjithë pasuesit e tij sepse e di mirë që sado të sforcohet edhe një vit, ato janë edhe finishi dhe lakmuesi përfundimtarë i lëvizjes që nisi dhe po vazhdon, nën gijotinën e “Non Grata”. Makth zgjedhjet lokale, makth edhe Agron Kapllanaj dhe të tjerë si ai në PD!
Pra kjo është edhe arsyeja pse që në nisje të fjalës në selinë e PD-së me kryetarët e degëve, ai ka sulmuar pikërisht një nga njerëzit më të suksesshëm të Partisë Demokratike në betejat për pushtetin lokal. Dikur e mburrte, por kohët e fundit gati në çdo fjalim dhe në mediet që e mbështesin, ish-kreu i Bashkisë së Mallakastrës Agron Kapllanaj është kthyer në një “tabelë qitje” nga ana e Berishës.
Në fakt më shumë se me atë personalisht, ai po godet modelin e suksesshëm të tij. Sepse pavarësisht entuziazmit për zgjedhjen e vetes kryetar dhe të të përzgjedhurve besnikë në krye të degëve në Rrethe, puna e “mbledhjes” së votave në bazë është tjetër gjë.
Duke e konsideruar si një nga mbështetësit kryesorë të ‘Bashizmit’, sipas tij ish-kryetari i Mallakastrës është fitues i 97 tenederave nga qeveria lokale dhe vendore, por harroi që të nxirrte ndonjë dokument të vetëm për të vërtetuar këtë gjë.
“Aktualisht njëri nga mbështetësit kryesorë të Bashizmit, ish-kryetari i Mallakastrës është njëkohësisht fituesi i 97 tenderave nga qeveria lokale dhe vendore. Ndaj bilbilon Enkelejdi siç thotë Rama, për të mos thënë probleme të tjera madhore të bëra të qarta tani publikisht të Bashës e të ndonjë tjetri. Përgjegjësia jonë është të dalim sa më shpejt nga kjo gjendje”, sulmoi Sali Berisha duke përmendur jo pa frikë për herë të parë ekzistencën e “bashizmit” brenda PD-së e më gjerë. Pra duke folur për Agron Kapllanajn dhe “bashizmin” urdhëroi “kryetarët” e tij se, “duhet të dalin urgjentisht nga kjo gjendje”.
Çfarë gjendje qenka kjo (në bazën e PD) që e frikëson kaq shumë Berishën?!
Gjithsesi; Kujtojmë se Agron Kapllanaj për një kohë të gjatë ka qenë krenaria e Berishës, pasi ai arriti që të kthente pro Partisë Demokratike një bastion të majtë si Mallakastra dhe ka ndikuar shumë në balancimin e forcave në qarkun e Fierit, ku socialistët “bëjnë kërdinë” me vota.
Frika se ai (dhe shokët e tij) do të kandidoj sërish në zgjedhjet e ardhshme, ndikimi i madh jo vetëm në qarkun e Fierit, duket se po e detyron Berishën që edhe në një mbledhje organizative të merret minuta të tëra me sulme kundër Kapllnajt dhe demokratëve të ngjashëm me atë.
Kujtojmë gjithashtu se edhe në zgjedhjet e fundit të 25 Prillit pavarësisht se Kapllanaj u la jashtë listës së sigurt, vetëm për një shifër të vogël votash nuk theu herësin për tu future në parlament.
Por pavarësisht kësaj ai morri më shumë vota se të gjithë gjashtë deputetët aktualë të Fierit: Enkeled Alibeaj- 5225; Eralda Bano- 1296; Saimir Korreshi– 4887; Luan Baçi– 5315; Nusret Avdulla– 2506; Ilda Dhori – 3858, kurse Agron Kapllanaj plot 9274 vota.
Kujtojmë edhe të fundit meqenëse duket sikur e ka kthyer “në personale”. Vetë Sali Berisha në zgjedhjet e 25 Prillit në qarkun e Tiranës ku kandidonte morri gjithsej 6766 vota duke u renditur pas: Lulzim Bashës- 16186 vota; Agron Shehaj- 13852; Belind Këlliçi 11581 vota, Grida Duma- 8691 vota; Shpëtim Idrizit- 7440 vota dhe vetë Flamur Nokës i cili mori 6875 vota./ Alfapress.al