Disa organizata mjedisore greke në nivel kombëtar dhe vendor po mbështesin një fushatë për shtrirjen e kufijve të Parkut Kombëtar të Pindosit Verior drejt kufirit me Shqipërinë për të siguruar një mbrojtje ndërkufitare për lumin Vjosa.
Vjosa buron nga vargmali i Pindos në Greqi dhe pasi përshkon 70 km në anë greke hyn në Shqipëri dhe pas 192 km derdhet në detin Adriatik. Me përjashtim të një dige në rrjedhën e sipërme në burimet e lumit, të quajtur ‘Piges’, lumi Vjosa rrjedh lirshëm për mbi 270 kilometra, duke valëzuar nëpër kanione mahnitëse në të dy anët e kufirit dhe duke gjarpëruar në rrugën drejt detit në territorin shqiptar.
Instituti Mesdhetar për Natyrën dhe Njeriun në Greqi , organizata “”Pindos Environment” dhe organizata të tjera vendore greke janë fokusuar në zonën ndëkufitare Grammoz – Konicë – Pogon, me synimin përfundimtar bashkimin e zonës kombëtare të Pindosit Verior me Parkun Kombëtar të Vjosës, i saposhpallur nga qeveria shqiptare.
Sipas organizatave edhe në anë greke lumi Vjosa, në rreth 70 kilometrat e tij kërcënohet nga ndërtimi i afërt i dhjetëra hidrocentraleve të vegjël, të cilët, nëse zbatohen, do të minonin përpjekjet e më shumë se një dekade për të krijuar parkun e parë Kombëtar Ndërkufitar të lumit të egër në Evropë.
Organizatat mejdisore greke theksojnë faktin se Plani i ri Kombëtar grek i Energjisë dhe Klimës i nënshkruar në vitin 2019, parashikon një rritje prej 15% të kapacitetit të instaluar të hidrocentraleve deri në vitin 2030 dhe një nga fushat ku është shprehur interesi i madh për instalimin e hidrocentraleve është pellgu i lumit Vjosa. Ky pellg përbëhet nga një kompleks lumenjsh, degësh dhe përrenjsh që mbeten pothuajse të paprekur deri më sot.
Organizatat kanë paraqitur propozimet në konsultimin publik që pritet të përmbyllet ne fund të prillit duke kërkuar ndalimin të gjithë veprave hidroenergjitike në të gjithë pellgun e lumit Vjosa (duke përfshirë lumenjtë kryesorë, degët dhe përrenjtë).
“Nëse këto vepra materializohen,vlerësojnë organizatat, ato do ta transformojnë zonën në një zinxhir liqenesh artificiale, duke ndërprerë çdo rrjedhë natyrore të lumit dhe nëndegëve dhe duke penguar në këtë mënyrë proceset thelbësore ekologjike, duke ndikuar negativisht si në biodiversitetin ashtu edhe në jetën e komuniteteve”.
Ndërhyrja më e madhe në në burimet e Vjosës në anë greke u bë në fund të viteve 80-të me një dige të madhe hidroelektrike ku uji nga liqeni artificial devijohet në ujëmbledhësin e Arachthos, me ndikime në rrjedhën, hidromorfologjinë dhe ekosistemet e Vjosës
Në vitin 1989 Planet për “shfrytëzimin” e potencialit ujor të zonës përfshinin ndërtimin e një dige dhe një rezervuari uji në zemrën e Parkut Kombëtar të Pindosit Verior. Shoqata për Mbrojtjen e Natyrës Kontinentale e apeloi në Këshillin e Evropës dhe në 1990 në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe pas reagimeve të forta nga organizatat mjedisore dhe Komisioni Evropian i Mjedisit, i cili referoi Greqinë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, projekti u rrëzua.
Por, çështja e digave në lumin Vjosa në anën greke rikthehet në plan të parë nga viti 2000 e në vazhdim.
Në vitin 2009, një plan iu dorëzua Ministrisë së Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimeve Klimatike dhe Punëve Publike për të devijuar sasi shtesë uji nga lumi drejt pellgjeve ujëmbledhëse fqinje dhe në veçanti liqenit , në qytetin e Janinës. Plani parashikonte gjithashtu ndërtimin e stacioneve hidroelektrike përgjatë kanalit të devijimit.
Njoftimi i planit shkaktoi një reagim nga komunitetet lokale dhe organizatat mjedisore dhe në vitin 2010 ministrja e atëhershme e Mjedisit e hodhi poshtë planin. Nismëtarët e projektit u tërhoqën duke marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për një çështje të ngjashme.
Edhe Plani i Entit Rregullator grek të Energjisë përfshin tre projekte të mëdha hidroelektrike me krijimin e rezervuarëve në pellgun ujëmbledhës te Vjoses , si dhe 293 projekte të vogla hidroelektrike.VOA