Mesditën e sotme, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të kthehen në punë dhe të stabilizohet situata. Pas këtij apeli, një reagim ka ardhur nga kryeminstri Rama, i cili ka paralajmëruar se organizatorët do të kallzohen penalisht, dhe do të përballen me ligjin.
Nga Aeroporti i Rinasit, Belinda Balluku tha se qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje financiare me kompaninë AlbControl, punonjësit e së cilës janë në grevë duke bllokuar fluturimet në këtë aeroport. Kontrollorët dhe punonjësit e tjerë të AlbControl kërkojnë rritje të pagës, pasi në prill 2020 ato janë ulur me 70%. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Rama shprehet me anë të një postimi në Twitter se sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet për asnjë arsye. Kryeministri fajëson Berishën dhe Metën, ku sipas tij, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat.
Statusi
“Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin,që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve!Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!
Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!
Organizatorët do të kallzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin,që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve!Të tjerët duhet të vendosin menjëherë:O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!
— Edi Rama (@ediramaal) April 7, 2021