Organizonin lojëra fati në lokal, arrestohet punonjësi; shpallet në kërkim pronari

Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë pasi organizonte lojëra fati.

Burime për median bëjnë me dije se A. N., punonjës në një lokal është arrestuar pasi organizonte lojëra të paligjshme pokeri, ndërsa pronari i lokalit është shpallur në kërkim.

Blutë e Tiranës, kanë bërë të mundur sekuestrimin e 2 tavolinave pokeri, çipsa, letra bixhozi si dhe shuma parash.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Dealer”.

Sekuestrohen 2 tavolina pokeri, çipsa, letra bixhozi si dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga organizimi i kundërligjshëm i lojërave të fatit.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim pronari i lokalit që kishte përshtatur ambientin për këtë veprimtari të kundërligjshme, vihet në pranga një punonjës në këtë lokal, si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 klientë në lokal.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal në Laprakë, organizohej kjo veprimtari e kundërligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Dealer”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi:

– A. N., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit F. P., 37 vjeç, N. L., 29 vjeç, dhe F. L., 45 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi N. P., 54 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim N. P., në Laprakë, shtetasit A. N. (punëtor i lokalit) dhe F. P., N. L. dhe F. L. (klientë në lokal), janë konstatuar duke organizuar lojëra fati në një tavolinë pokeri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se pronari i lokalit, i cili kishte përshtatur ambientin për organizimin e lotarive të palejuara, kishte punësuar në mënyrë të paligjshme shtetasin A. N.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 tavolina pokeri, çipsa, letra bixhozi, shuma parash të dyshuara të përfituara kjo veprimtari e kundërligjshme. Vijon puna për kapjen e shtetasit N. P.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *