Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë tha të martën se institucionet e Kosovës kanë bërë përparim të kufizuar në përmirësimin e të drejtave të komuniteteve pakicë. Ky është një nga përfundimet ë një raporti të kësaj organizate që vlerëson të drejtat e komuniteteve në Kosovë në mes të viteve 2015 dhe 2019.
Raporti thekson se institucionet kanë bërë përparim në integrimin në gjyqësor, miratimin e rregullores ligjërisht të detyrueshme për kthimin e personave të zhvendosur dhe miratimin e disa politikave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Por, sipas raportit, Kosova nuk ka shënuar përparim në zbatimin e plotë të legjislacionit për përdorimin e gjuhëve, në përfshirjen e arsimit serb brenda kuadrit institucional të Kosovës dhe në qasjen e komuniteteve boshnjake dhe turke në arsimin e lartë.
Julija Vitanova nga misioni i OSBE-së në Kosovë tha se marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar por ndarjet mbeten të thella.
“Vazhdon të ketë ndarje domethënëse ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe komunitetit serb në Kosovë, megjithatë ndërveprimi shoqëror dhe institucional është përmirësuar. Me gjithë përparimin e vogël, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve lidhur me kthimin e personave të zhvendosur mbetet problematik dhe rishfaqet akoma ku nëpër zona të ndryshme banorët vazhdojnë të shfaqin rezistencë ndaj kthimit ose integrimit të personave të zhvendosur”, tha ajo.
Zonja Vitanova tha se duhet t’u jepet përparësi përpjekjeve për të nxitur dialogun dhe tolerancën ndëretnike në nivel qendror dhe lokal. në mënyrë që të mënjanohen ndasitë ndërmjet komuniteteve.
Sipas raportit, komunitetet goran, romë, ashkalinj dhe egjiptas në përgjithësi mbetën pak të përfaqësuar në nivelet e pushtetit komunal dhe mbajnë pozita më të ulta ndërsa u bëhet thirrje institucioneve që të zbatohen ligjet për përfshirje më të madhe të këtyre komuniteteve.
Raporti bën thirrje po ashtu që të miratohen të gjitha masat për të siguruar zbatimin e plotë dhe të barabartë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, në rritjen e cilësisë së përkthimeve dhe ofrimin e shërbimeve në gjuhët e pakicave, posaçërisht në sistemin gjyqësor.
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Ambasadori Michael Davenport tha se në çdo shoqëri demokratike është jetësore që të gjitha komunitetet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre.
“Shpresoj që të gjitha institucionet përkatëse do të trajtojnë seriozisht rekomandimet të përfshira në raportin e misionit të OSBE-së dhe të ndiqen ato me veprime dhe masa të duhura. Çuarja përpara e të drejtave të njeriut për komunitetet është një gur themel në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, paqësore dhe të qëndrueshme”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës për çështjet e pakicave dhe të drejtave të njeriut, Emilija Rexhepi, tha se përmirësimi i të drejtave të pakicave kërkon gjithëpërfshirje.
“Të gjithë jemi të detyruar të marrim përgjegjësi për atë që jemi. Ndonjëherë nuk ekziston vullneti politik që diçka të ndodhë, ndonjëherë ekziston. Tani te shohim me qeverinë e re e cila ju jep më shumë qasje komuniteteve pakicë në një nivel më të lartë. Çfarë do të bëjmë ne në këtë periudhë? Këtu na duhet mbështetja e komunitetit ndërkombëtarë, por gjithashtu edhe ne duhet të jemi të përfshirë në këtë proces”, tha ajo.
Raporti thekson se mekanizmat institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave mbeten të pashfrytëzuar dhe se duhet vullnet i të gjithëve për të përmirësuar gjendjen e komuniteteve që jetojnë në Kosovë./VOA