Pas dështimit ditën e djeshme, seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës do të vijojë ditën e sotme në orën 17:00. Njoftimi është bërë nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. E gjitha kjo erdhi për shkak të mungesës së kuorumit të mjaftueshëm për të zgjedhur kreun e shtetit.
“Në mungesë të kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës seanca do t’i vazhdojë punimet nesër me datën 4 prill 2021 në orën 17:00”, tha ai.
Në seancën e së shtunës dy herë është përsëritur raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës meqë nuk është arritur kuorumi prej 80 votave. Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79, nisur nga kjo seanca u shty për ditën e sotme. Në garë është Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti Ka paralajmëruar se nëse nuk zgjidhet Osmani presidente, atëherë vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.