Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka vazhduar me avazin e vjetër duke mos i respektuar marrëveshjet e arritura në dialog, duke aluduar në deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se nuk do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht dakordimit të palëve në Ohër.
Gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë të mërkurën, Osmani ka thënë se Serbia e tregoi edhe një herë që dialogu nuk ka asnjë vlerë për të.
“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, siç ndodhi edhe në shkurt, po ndodh edhe në mars, pra tregoi atë që nga dialogu nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike e as juridike. Rrjedhimisht e njoftoi bashkësinë ndërkombëtare që nuk do të zbatojë ato të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi. Teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet, rrjedhimisht akoma neni 4 i asaj marrëveshje i cili e obligon Serbinë që mos ta kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizata, mbetet në fuqi”, ka thënë Osmani, raporton EO.
Sipas nenit 4 të Planit evropian, palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Gjithashtu, Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Presidenti serb Vuçiq të martën ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme. Megjithatë, ai ka thënë se nuk do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, duke kundërshtuar qartazi nenin 4 të marrëveshjes për të cilën ai thotë se është ligjërisht e obligueshme.