Osmani: Jetojmë afër një fqinji që kontrollohet nga Rusia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se tensionet në veri të Kosovës janë përgatitur për një kohë të gjatë nga Serbia që është nxitur dhe ndihmuar nga Rusia, ndërsa synim kanë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Kosova kurrë nuk ka dhe nuk do të kontribuojë në përshkallëzim apo dhunë. Duhet ta kuptojmë se jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Ata kanë tentuar të luftojnë mënyrën tonë demokratike të jetës, kjo është një luftë kundër vlerave me të cilat jetojmë çdo ditë dhe të cilat qëndrojnë në themelet e shtetit tonë të pavarur. Nuk janë akuzat tona që po e përshkallëzojnë situatën. Janë veprimet e tyre ato që po e përshkallëzojnë dhe po krijojnë tensione”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se nuk beson se nëse thuhet e vërteta për Rusinë e Serbisë do të ndikojë negativisht.

“Do të ketë efekt pozitiv, sepse nuk besoj se ndihmon këtë situatë akomodimi i autokratëve dhe i regjimeve gjenocidale, siç është ai në Rusi, apo regjimeve autokratike që synojnë të bëjnë të njëjtën gjë në Serbi”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka shtuar se Kosova gjithmonë ka qenë pala konstruktive në dialogun në Bruksel.

“Ne jemi duke biseduar për 12 vjet, Kosova ka qenë pala konstruktive. Gjithmonë i jemi përgjigjur pozitivisht thirrjeve për dialog. Nuk jemi larguar asnjëherë nga tavolina e dialogut, krejt e kundërta. Ne kemi nënshkruar marrëveshjet të cilat po i respektojmë, Serbia bën të kundërtën. Edhe kur po i prezantojmë masat e reciprocitetit po i respektojmë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Për më tepër, nuk mendoj se të akomodosh regjim që kërcënon me armë dhe beson se ka të drejtë të vendosë në emër tënd, vetëm sepse ka fuqinë ushtarake, është mënyra e duhur. Duhet pasur qëndrime të qarta ndaj Serbisë që luan në duart e Rusisë. Është vend që nuk ka vendosur sanksione, në fakt po bën marrëveshje për armë dhe gaz me Rusinë, në një kohë kur pjesa tjetër e Evropës kanë vendosur sanksione. Nuk është rruga e duhur të akomodosh ata”.

E pyetur nëse Kosova mund të jetë “viktimë e luftës në Ukrainë”, Osmani ka thënë se me partnerët do të punohet shumë për të mos ndodhë kjo.

“Para së gjithash Kosova është storie suksesi se çfarë mund të arrijë bota demokratike kur qëndron e bashkuar kundër tiranive dhe kundër regjimeve gjenocidale. Së dyti, Kosova është një storie suksesi, sepse është demokraci e zhvilluar, është një ekonomi në zhvillim e sipër. Është shtet që kontribuon për paqen e stabilitetin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por përtej përmes misioneve paqeruajtëse. Pra, 23 vjet pas çlirimit të Kosovës, ne po kontribuojmë për botën demokratike, si dhe për vendet në nevojë. Një, nuk do të biem pre e këtyre provokimeve, së dyti ne kurrë nuk do t’i nxisim provokimet. E së treti do të punojmë së bashku me partnerët tanë që të sigurohemi që skenari që sapo përshkruat ju të mos ndodhë në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka pasur edhe një mesazh për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Ai do të dështojë. Do të dështojë në Ukrainë e do të dështojë në qëllimet e tij për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor përmes satelitit të tij Serbisë. Dua të sigurojë të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht qytetarët tanë serbë, se ne të gjithë po punojmë që të ndihen të barabartë, të gjithë të ndihen të integruar në shoqërinë tonë dhe institucionet tona”, tha Osmani.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *