Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, është deklaruar për grevën punonjësve të arsimit, duke bërë të ditur se ajo është për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim, por jo në kurriz të nxënësve.
Sipas saj greva duhet të zëvendësohet me dialog, në atë mënyrë që nxënësit të rikthehen në bankat shkollore për të vijuar mësimin e rregullt, i cili do të duhej të fillonte më 1 shtator.
“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”.
Për Presidenten, sindikatat e arsimit parauniversitar kanë të drejtë t’i adresojnë shqetësimet e tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshme që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor.
Ajo ka tërhequr vëmendjen në Projekligjin për paga, i cili sipas saj parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit.
“Arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve”, ka shtuar ajo.
Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave, sipas Osmanit, duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor.
“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve”, ka shtuar ajo.
“Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor”