Osmani: Kryetarët në katër komunat veriore të marrin mandatin brenda afatit ligjor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me betimin e kryetarëve të zgjedhur në Veri të Kosovës.

Osmani është shprehur se kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore duhet të marrin mandatin brenda afatit ligjor.

Osmani ka deklaruar se zgjedhjet në katër komunat veriore janë mbajtur pas dorëheqjes së ish kryetarëve.

“Siç e dini zgjedhjet janë mbajtur për shkak se Kushtetuta jonë dhe legjislacioni në fuqi kërkon që të mbahen zgjedhjet sa herë që një kryetar komune jep dorëheqje. Ajo që e ka krijuar këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish kryetarëve të komunave veriore.

Në këtë situatë ne kemi pasur obligime kushtetuese dhe ligjore dhe institucionet e sigurisë kanë bërë çmos që dita e zgjedhjeve të shkojë pa asnjë problem. Bojkoti i qytetarëve serb atje nuk ka qenë vullnetar ka qenë bojkot i detyruar i cili është nxitur nga Vuçiçi në Serbi dhe është zbatuar nga strukturat e tij ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës, të cilët vazhdimisht kanë frikësuar, shantazhur dhe kërcënuar qytetarët serb në veri”, u shpreh ajo.

Presidentja shtoi se “tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”.

“Çka është me rëndësi është që të gjithë kryetarët të punojnë me qytetarët që banojnë në këto katër komuna dhe t’i bindin që të gjitha projektet janë në të mirë të tyre, shërbimet administrative janë në të mirë të tyre, siguria është në të mirë të tyre. Projektet ekonomike i fuqizojnë ata, pra secili veprim është për të mirën e qytetarëve dhe jo të kundërtën, dhe ne presim që të gjitha këto procedura të shkojnë pa ndonjë problem dhe pa ndonjë tension”, tha ndër tjera ajo.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *