Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellët dhe duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës.
Ajo këto komente i bëri në Konferencën e 6-të të ambasadorëve, organizuar sonte nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në fjalën e saj në hapje të konferencës, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se gjatë tri ditëve të ardhshme të punës do të bisedojnë edhe për qasjen e re që ka Kosova ndaj mërgatës së saj dhe përfshirjes së saj në zhvillimet shoqërore e politike dhe ekonomike të vendit.
“Është sonte një natë që i paraprin tre ditëve të punës gjatë së cilës do të bisedojmë me ambasadorët rreth politikës së jashtme, ndryshimeve që kanë ndodhur në vendin tonë, por edhe në shërbimin e jashtëm, rreth misionit i cili është një privilegj ndoshta më i madhi në këtë Republikë që të jesh ambasador i këtij vendi dhe të përfaqësosh interesat e tij”, ka thënë ajo.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani tha se konferenca të tilla vjetore të ambasadorëve shërbejnë për të pasur diskutim të hapur mbi politikën tonë të jashtme, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet politika e jonë e jashtme.
“Politika jonë e jashtme duhet të jetë çdo herë në interes të shtetit dhe qytetarëve të saj dhe bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike dhe ndërtimin e partneritetit me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicionalë strategjikë, andaj kjo konferencë duhet të na mundësojë përmes diskutimeve dhe analizave të arrijmë tek i njëjti kuptim i mjedisit që ndikon në politikën tonë të jashtme, qartësim të synimeve strategjike të kësaj politike, si dhe të bëjmë identifikimin e fushave dhe praktikave më të mira me të cilat duhet të përmirësohemi. Ju si diplomatë të Republikës së Kosovës jeni pasqyra dhe dritarja e Kosovës jashtë vendit dhe në njërën anë me veprimet tuaja duhet të pasqyroni vlerat themeltare të Republikës së Kosovës të lidhura me demokracinë, diversitetin etnik e kulturor, shpirtin inovativ e ndërmarrës të qytetarëve tanë dhe në anën tjetër jeni dritarja përmes së cilës komunikoni dhe ndërtoni ura bashkëpunimi”, ka thënë Osmani.
Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në veri, vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë.
“Serbia ka ndërmarrë veprime kundër rendit kushtetues duke cytur serbët në veri që të braktisin institucionet e Republikës së Kosovës nëpërmes kërcënimeve e detyrimeve, sulmeve, por edhe joshjeve në disa raste. Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimit të vakumit institucional në veri si prelud për atë që Serbia e dëshiron- pra pretendimet e saj territoriale në raport me Kosovën. Një gjë e tillë që natyrisht kurrë nuk do të lejohet dhe vetëm sa do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundimin e ligjit në secilin cep dhe secilën pjesë të territorit tonë”, ka thënë Osmani.