Mes tensioneve dhe protestuesve serbë që kanë rrethuar komunën, kryetari i ri i Leposaviç ka arritur të hyjë në zyrë. Pasi shpërndahet turma, kryetari Lulzim Hetemi arrin para objektit të komunës, i shoqëruar nga policë të armatosur.
Para hyrjes së kryetarit, në Leposaviç pati tensione ku u dëgjuan edhe të shtëna me kallashnikov. Para Leposaviçit, Policia shpërndau turmat në Zveçan dhe Zubin Potok, ku tashmë kanë hyrë kryetarët e rinj në komuna.
Çfarë po ndodh?
Mesditën e sotme në të 4 komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi, ku para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç u mblodhën edhe qytetarë. Situata është agravuar ndërsa janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, është hedhur gaz lotsjellës nga policia për të shpërndarë protestuesit të cilët kanë djegur edhe makina.
Kjo protestë po bëhet në shenjë revolte nga protestuesit serb kundrejt kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në katër komunat me shumicë serbe.